Gossip

Princi Harry dhe Meghan Markle humbin shkëlqimin në Hollywood? “Njerëzit janë të lodhur prej tyre”

Dikur ndër çiftet më të përfolur dhe më të kërkuar në Hollywood, Princi Harry dhe Meghan Markle duket se po përballen me një rënie të ndjeshme të ndikimit të tyre në industrinë e argëtimit.

Sipas burimeve për “Page Six”, reputacioni i tyre në Los Angeles është zbehur ndjeshëm, me shumë profesionistë që tashmë hezitojnë të bashkëpunojnë me ta.

Jo vetëm që nuk ka më oreks për ta në Los Angeles, por ata kanë harxhuar edhe çdo vullnet të mirë që kishin

-tha një burim për median amerikane.

Një tjetër shtoi me ironi:

Njerëzit janë të lodhur prej tyre, akti është bërë bajat.

Partneriteti shumëvjeçar i çiftit me Netflix, i vlerësuar fillimisht në rreth 100 milionë dollarë, raportohet se është reduktuar në një marrëveshje të kufizuar “në shikim të parë”.

Burime të brendshme theksojnë se gabimet profesionale dhe mungesa e organizimit kanë ndikuar negativisht në imazhin e tyre.

Një burim madje pretendon se Princi Harry mbërriti vonë në një takim të rëndësishëm me Netflix, duke kërkuar menjëherë një filxhan çokollatë të nxehtë, pijen e tij të preferuar, një sjellje që u interpretua si joprofesionale.

Ngjarje të ngjashme janë raportuar edhe nga punonjës të Spotify, të cilët e kanë përshkruar çiftin si kërkues dhe të vështirë për t’u menaxhuar.

Në vitin 2023, kontrata trevjeçare e çiftit me Spotify në vlerë prej 20 milionë dollarësh përfundoi pas vetëm një sezoni të podkastit Archetypes të Meghan Markle.

Më herët këtë vit, ajo prezantoi projektin “Rrëfimet e një themeluese femër” me Lemonada Media, por edhe ky zgjati për një periudhë të shkurtër.

Sipas raportimeve të Vanity Fair dhe The Hollywood Reporter, punonjës të afërt me çiftin kanë përshkruar Meghan si një person me karakter dominues dhe shpesh shpërfillës.

Ajo është e bindur se është më e zgjuar se të gjithë dhe kontrollon çdo gjë

-tha një burim i brendshëm, duke shtuar se stafi e konsideron bashkëpunimin me të “të dhimbshëm” dhe stresues.

Megjithatë, jo të gjithë në industrinë e shohin situatën me negativitet. Drejtori ekzekutiv i Netflix, Ted Sarandos, thuhet se ruan marrëdhënie të mira me çiftin dhe ka darkuar me ta disa herë.

Vetë Meghan e përshkroi rinovimin e partneritetit me kompaninë si “një shenjë të jashtëzakonshme të forcës së bashkëpunimit tonë” gjatë Samitit “Fortune Most Powerful Women” në Uashington.

Edhe pse popullariteti i tyre në Los Angeles është zbehur, Duka dhe Dukesha e Sussex nuk kanë ndërmend të ndalen.

Ata po punojnë për projekte të reja televizive, me shpresën për të rifituar audiencën dhe ndikimin që dikur i bëri një nga çiftet më të fuqishëm në botën e showbiz-it.