Showbiz

Princi William përfaqësoi Mbretin Charles në funeralin e Papa Françeskut, po Princesha Kate pse mungonte?

Princi William ishte ndër liderët botërorë që morën pjesë sot në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë, në ceremoninë madhështore të funeralit të Papa Françeskut.

Në këtë ngjarje të rëndësishme, Princi i Uellsit përfaqësoi Mbretin Charles, ndërsa përkrah tij nuk ishte Princesha Kate, por kryeministri britanik, Keir Starmer.

Mungesa e Kate-s nuk lidhet vetëm me shëndetin e saj, por edhe me traditën mbretërore britanike, sipas së cilës monarku dhe bashkëshortja e tij nuk marrin pjesë në funerale dhe shërbime përkujtimore.

Në vend të tyre, është trashëgimtari i fronit që përfaqëson familjen mbretërore në këto raste.

I njëjti protokoll është ndjekur edhe më parë: Princi Charles, në kohën kur ishte trashëgimtar, mori pjesë në funeralin e Papa Gjon Palit II në vitin 2005, gjithashtu i vetëm, pa praninë e Camilla-s.

Princi William ka udhëtuar edhe më parë vetëm për ngjarje të tilla, si në vitin 2023 kur bëri nderimet për vdekjen e Emirit të Kuvajtit, Sheikh Nawaf al-Ahmad al-Jaber al-Sabah.

Ndërkohë, Princesha Kate nuk kishte planifikuar pjesëmarrjen në ceremoninë në Romë, pasi është në përgatitje për një vizitë dyditore në Skoci — dalja e saj e parë publike pas më shumë se pesë javësh.

Ajo i është rikthyer angazhimeve me kujdes, pasi në shtator njoftoi përfundimin e kimioterapisë. Kate vazhdon t’i japë përparësi shëndetit dhe kohës me familjen, ndaj edhe orari i saj publik mbetet i limituar.