Auto & Moto Tech Top Tech - News

Problemet që po përballet Cybertruck i Tesla-s…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Cybertruck i Tesla-s po has probleme

Cybertruck-u i famshëm – ai katrori i çeliktë që ngjan si të jetë dizenjuar në Minecraft nga një adoleshent – po përballet me një tjetër kapitull thumbues në jetëgjatësinë e tij. Pothuajse të gjitha njësitë e dorëzuara deri tani janë thirrur mbrapsht nga Tesla. Arsyeja? Një kombinim i disa problemeve teknike, ku më kryesorja ishte një ngjitës i papërshtatshëm që mund të shkaktojë ngecjen e pedalit të gazit. Imagjino të jesh në autostradë, të shtypësh pak më shumë dhe… makina vendos të mos të të dëgjojë më.

Po kjo nuk është e vetmja gjë. Ky model ka hasur edhe probleme me cilësinë e elementeve të brendshëm, dhe një sërë difektesh që nuk përputhen me pritshmëritë e fansave të Teslës – të cilët, deri dje, ishin gati të flinin në makinë nga dashuria. Sot? Kanë nisur të kontrollojnë frenat çdo 5 minuta. Cybertruck nuk është thjesht një mjet transporti – është një eksperiment publik me miliona ndjekës. Dhe kur eksperimentet s’ecin siç duhet, ndodh që ngjitësi të jetë i gabuar… por edhe filozofia ndoshta ka nevojë për një rregullim.