Pas disa rasteve me produkte të kontaminuara që u hodhën në treg në disa qarqe të vendit, largohet drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Tiranë. Fatjon Pasholli i tha mediave se dha dorëheqjen nga ky post, të premten e 4 prillit, por nuk komentoi arsyet. Mësohet se në vend të Pashollit është komanduar Alketa Hoxha, e cila ka mbajtur detyrën e Drejtores Juridike në AKU.
Fundi i 2024-ës, si dhe viti 2025 janë shënuar nga raste që kanë ngritur alarmin për sigurinë ushqimore, që nga mandarinat shqiptare me pesticide të rrezikshme që u kthyen në Shqipëri, por ndryshe nga sa u tha se u asgjësuan, në fakt kishin dalë në tregun shqiptar për t’u blerë nga konsumatorët.
Tjetër rast alarmant ishte ai i peshkut të identifikuar me parazitë e që pasoi ngarkesën 8 tonë të mishit të pulës me salmonelë që erdhi nga Brazili dhe po ashtu u shit në tregun vendas, një pjesë. Ndërsa përgjatë muajit shkurt, në mars, si dhe ditët e para të prillit, ngarkesat me luleshtrydhe me pesticide janë kthyer në rrezik për konsumatorët pasi janë me pesticide.