Presidenti Donald Trump pezullon skemën e lotarisë së Kartës së Gjelbër në SHBA, pas të shtënave masive në Universitetin Brown javën e kaluar, ku u vranë dy persona. I dyshuari, një portugez i cili u gjet i vdekur, hyri në Amerikë përmes programit të vizave të emigracionit të lotarisë së diversitetit (DV1) më 2017-ën e iu dha një kartë e gjelbër.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem tha se ka pezulluar skemën e vizave nën drejtimin e Trump-it për të “siguruar që asnjë amerikan të mos dëmtohet nga ky program katastrofik”.
Zyrtarët besojnë se 48-vjeçari Claudio Neves Valente, vrau gjithashtu profesorin portugez të Institutit të Teknologjisë të Masaçusetsit, Nuno Loureiro.
Programi bënte të disponueshme deri në 50 mijë viza çdo vit, përmes një procesi përzgjedhjeje të rastësishme midis hyrjeve nga vendet me shkallë të ulët emigracioni në SHBA.
Në mediat sociale, Noem shkroi:
Më parë, Trump ka luftuar për t’i dhënë fund skemës në vitin 2017, pasi 8 persona u vranë në një sulm me kamion në New York City.
Shtetasi uzbek Sayfullo Saipov, mbështetës i Shtetit Islamik, i cili po vuan dënime të shumta me burgim të përjetshëm për sulmin, hyri në SHBA përmes skemës DV1.
Deklaratat e Noemit vijnë vetëm disa orë pasi autori i dyshuar i sulmit në Universitetin Brown Neves Valente u gjet i vdekur në një depo në Salem, New Hampshire. Dyshohet i vetëvrarë.
Provat video dhe informacionet nga publiku i çuan hetuesit në një vend ku jepeshin me qira makina. Aty gjetën emrin e të dyshuarit dhe e përputhën me autorin, pas një kërkimi 6-ditor në shumë shtete. Ai u gjet i pajetë dhe pranë kishte një çantë e dy armë zjarri.
Presidentja e Universitetit Brown, Christina Paxson, tha se Neves Valente ishte regjistruar në shkollën Ivy League nga vjeshta e vitit 2000 deri në pranverën e ardhshme dhe po studionte për një doktoraturë në fizikë.
Ai nuk kishte asnjë lidhje aktive aktuale me Brown-in.
Zyrtarët besojnë se Neves Valente qëlloi dhe vrau profesorin e MIT-it, Nuno F Gomes Loureiro, 47 vjeç, të hënën. Të dy kishin studiuar në të njëjtin universitet në Portugali në fund të viteve 1990.
Rastet u lidhën kur automjeti i të dyshuarit u identifikua nëpërmjet pamjeve të kamerave të sigurisë dhe një dëshmitari në Universitetin Brown.
E njëjta makinë u pa pranë vendit të të shtënave me armë ndaj profesorit, çka ndodhi vetëm dy ditë më vonë. Autoritetet nuk dhanë ndonjë motiv.