Rajoni

Prokuroria e Bosnjës lëshon urdhër për ndalimin e Dodikut!

Zyra e Prokurorit të Bosnjë-Hercegovinës i lëshoi urdhër policisë, për ndalimin e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Milorad Dodik, kryeministrit Radovan Vishkoviç e kryetarit të Paralmentit të këtij entiteti, Nenad Stevandiç, me qëllim që të merren në pyetje, siç u konfirmua për Radion Evropa e Lirë.

Urdhri për ndalimin e Dodikut, Vishkoviçit e Stevandiçit u dha nga prokurori i Prokurorisë së Bosnjës, Çazim Hasanpahiç. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues”.

Njoftimi vjen në ditën kur autoritetet në Republikën Sërpska planifikojnë që entitetin në Bosnje, ta përcaktojnë si shtet të popullit serb, t’i japin të drejtën për vetëvendosje, të krijojnë ushtrinë e vet e të heqin Këshillin e Popujve, sipas një drafti të ri të Kushtetutës të Republikës Sërpska, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë. Këto ndryshime bien ndesh me Kushtetutën e Bosnjë-Hercegovinës.

Ligji për procedurën penale i Bosnjës parashikon mundësinë e lëshimit të urdhrit për sjellje të detyruar në dhënien e dëshmisë, nëse personi i thirrur në institucionet gjyqësore refuzon ta bëjë këtë. Zyra e Prokurorit dorëzoi urdhrin për ndalim te policia gjyqësore dhe ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Brendshme e Republikës Sërpska, si dhe nga Agjencia për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), siç raportoi një radio në Republikën Sërpska.

Drejtori i Gjykatës Policore në Republikën Sërpska, Zhelko Dragojeviç i tha televizionit të Republikës Sërpska se kjo polici nuk ka dhe nuk mund të lëshojë urdhëra të ndalimit sepse kjo gjë është brenda juridiksionit të SIPA-së dhe Gjykatës Policore të Gjykatës së Bosnjës.

Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska sot pritet të diskutojë draft-kushtetutën e këtij entiteti, që paraqet edhe një lëvizje tjetër përçarëse nga autoritetet e këtij entiteti, pasi u miratuan ligje që ndalojnë funksionimin e institucioneve gjyqësore dhe hetuese të Bosnjës në territorin e Republikës Sërpska. Këto ligje hynë në fuqi javën e kaluar.

Po sot, deputetët në Republikën Sërpska pritet të diskutojnë për krijimin e një gjykate speciale dhe zyre të prokurorisë për të “mbrojtur rendin kushtetues”. Këto ligje jokushtetuese janë miratuar pasi Dodik u dënua, në Shkallë të Parë, nga Gjykata e Bosnjës me 1 vit burg dhe 6 vjet ndalim të ushtrimit të postit të presidentit, për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar.