Rajoni

Padi ndaj Dodikut, akuzohet për fyerjen e boshnjakëve!

Zv.presidenti i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Igor Stojanoviç, njoftoi se ka dorëzuar padi në Zyrën e Prokurorit të Bosnjë-Hercegovinës kundër presidentit të entitetit Republika Sërpska, Millorad Dodik, mbi dyshimet se ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, raciste e fetare.

Në një postim në Facebook, tha se Dodik ka bërë deklarata gjatë paraqitjeve publike, të cilat fyejnë dinjitetin e boshnjakëve dhe “shkelin të drejtën e fesë e kulturës, si dhe liritë themelore, që garantohen nga Kushtetuta dhe e drejta ndërkombëtare”.

Duke folur para gazetarëve, pas një takimi të koalicionit qeverisës në Republikën Sërpska, Dodik pati prezantuar tezën që zgjidhje për Bosnjë-Hercegovinën është që boshnjakët “të kthehen në fenë e paraardhësve të tyre, që Bosnja të jetë me shumicë serbe”.

Duke mohuar identitetin e boshnjakëve, i ofendoi ata, duke i quajtur të konvertuar.

Stojanoviç theksoi se ka detyrim “institucional dhe moral që të reagojë kur kërcënohen themelet e shtetit, barazia, siguria dhe dinjiteti i qytetarëve”.

Heshtja përballë gjuhës së urrejtjes nuk është opsion. Bosnja është shtet i të gjithë njerëzve dhe qytetarëve të tij. Themelet e saj janë mbi luftën kundër fashizmit, mbi lirinë e barazinë. Eshtë patriotizëm të mbrosh dinjitetin e çdo qenieje njerëzore dhe të mbrosh vlerat mbi të cilat bazohet ky vend.

Zyra e Dodik-ut më herët nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se pse presidenti i Republikës Sërpska bën komente fyese ndaj boshnjakëve dhe nëse ai beson se ato përbëjnë gjuhë të urrejtjes. Nenet e Kodit Penal të Bosnjës ndalojnë “nxitjen publike dhe nxitjen e urrejtjes kombëtare, raciste apo fetare” e parashohin dënim me burgim.

Dodik është në kërkim nga Gjykata e Bosnjës dhe nga Zyra e Prokurorit të vendit, për shkak se ai po refuzon të përgjigjet për marrjen në pyetje për “sulm ndaj rendit kushtetues të vendit”. Fletarrest u lëshua edhe për kryetarin e Asamblesë së Republikës Sërpska, Nenad Stevandiç dhe për kryeministrin e entitetit, Radovan Vishkoviç, të cilët po ashtu dyshohet të kenë kryer të njëjtin.