Rajoni

Prokuroria nis hetime, Policia bastis disa OJQ në Serbi!

Pas akuzave nga drejtori i Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI) për keqpërdorimin e fondeve nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), prokuroria në Beograd ka nisur hetime ndaj organizatave të caktuara joqeveritare, siç po raporton Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).

Të martën e sotme, duke vepruar në bazë të urdhrave nga Departamenti Special për Luftën ndaj Korrupsionit i Zyrës së Prokurorit të Lartë Publik në Beograd, forcat e rendit kontrolluan zyrat e disa OJQ-ve, siç u tha, “në lidhje me grumbullimin e provave për keqpërdorim të mundshëm të fondeve të USAID-it”. Njoftimin e dha RTS-ja.

Mësohet se me hetime po përballen OJQ-ja e quajtur Qendra për Hulumtime, Transparencë dhe Llogaridhënie (CRTA), si edhe shoqata Iniciativat Qytetare. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kufizuar punën e USAID-it, duke urdhëruar një ngrirje 90-ditëshe të shpenzimeve të agjencisë prej datës 24 janar.

Administrata presidenciale amerikane po shqyrton futjen e USAID-it nën ombrellën e Departamentit të Shtetit, si pjesë e një riorganizimi të madh që do të reduktonte numrin e punonjësve. Që prej kthimit të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, administrata e tij dhe njerëz të afërt me të e kanë quajtur vazhdimisht USAID-in një “organizatë kriminale”.

USAID-i u themelua në vitin 1961, me qëllim koordinimin më të mirë të ndarjes së ndihmave amerikane jashtë vendit. Sipas shifrave të fundit, aktualisht numëron rreth 10 mijë punonjës, dy të tretat e të cilëve punojnë jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin fiskal 2023, USAID-i shpërndau ndihma me vlerë 43.79 miliardë dollarë.