Rajoni

Prokuroria Speciale ngre aktakuza në mungesë për krime lufte në Kosovë!

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër të pandehurit me inicialet Ç.A., i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë periudhës janar-maj të vitit 1999. Në njoftimin zyrtar thuhet:

I akuzuari Ç.A., në periudhën kohore janar – maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal (tani për tani të pa identifikuar), të organizuar, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që të zhvillohet proces gjyqësor në mungesë se siç thuhet në njoftim,“janë ezauruar të gjitha përpjekjet për ta gjetur të akuzuarin”.

Dy ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj një personi tjetër me inicialet D.R, i dyshuar se ka dhunuar seksualisht një grua gjatë luftës në Kosovë. Kjo ishte aktakuza e parë e ngritur në mungesë të të akuzuarit.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari D.R. kishte qenë pjesëtar i forcave rezervë ushtarake të Serbisë, në kohën e luftës në Kosovë. Ai ka kryer dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare, e cila pësoi lëndime fizike në trup si dhe trauma të rënda të përhershme psikike.

Numri i saktë i grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk dihet, por përgjatë viteve të pasluftës, organizata të ndryshme vendase e ndërkombëtare kanë thënë se numri mund të arrijë deri në 20 mijë.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka të dhëna për rreth 900 viktima. Kosova e ka shpallur 14 prillin Ditë të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës së fundit.