Partia Socialiste nuk do të paraqesë asnjë kandidaturë për postin e Avokatit të Popullit. Lajmi u konfirmua nga kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, pas mbledhjes së sotme. Balla deklaroi se shumica është tërhequr nga e drejta për të paraqitur kandidat dhe se tashmë do të shqyrtohen vetëm propozimet e ardhura nga opozita.
Ka disa kandidatura dhe parlamenti zgjedh atë që merr 84 vota ose më shumë. Ne jemi tërhequr nga propozimi dhe do të votojmë një nga kandidaturat e propozuara nga opozita, u shpreh Balla duke folur për gazetarët.
Balla shtoi se ende nuk i ka parë të gjitha dosjet e kandidatëve dhe se vendimi përfundimtar do të merret pasi të jetë dorëzuar lista e plotë.
Unë ende nuk i kam parë të gjitha kandidaturat dhe pasi të kemi listën e plotë të tyre, më pas do të vendosim se cilën kandidaturë të mbështesim. Shpresoj që të kemi një Avokat Populli brenda këtij sesioni të kësaj legjislature. Dua që Kuvendi të zgjedhë një Avokat Populli të propozuar nga opozita dhe të mbështetur nga shumica.
Pas mbarimit të mandatit të Erinda Ballancës në krye të Avokatit të Popullit, zgjedhja e kreut të ri është zvarritur prej një kohe të gjatë për shkak të mungesës së marrëveshjes mes maxhorancës e opozitës.
Lista e kandidatëve për kreun e këtij institucioni ende nuk është bërë publike, ndërsa emri që do të zgjidhet do të duhet të marrë 84 vota nga Kuvendi.