Aktualitet

Prostitucion në Durrës, tutorja nga Armenia shfrytëzonte 22-vjeçaren nga Peruja!

Një 52-vjeçare nga Armenia u arrestua se organizonte prostitucion në Durrës, duke shfrytëzuar një 22-vjeçare nga Peruja, e cila u vu nën hetim nga blutë, bashkë me 3 persona. Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan pasaportat dy shtetaseve të huaja, si edhe shuma parash, karta telefoni e blloqe shënimesh. Nga hetimet, rezultoi se kishin marrë me qira dy apartamente në zonat e Vollgës e të Plazhit, duke i përshtatur për ushtrimin e prostitucionit.

Njoftimi i plotë i policisë: 

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara gjatë fazave të operacionit policor të koduar “STORM”, për goditjen e shfrytëzimit për prostitucion, pas një hetimi dyjavor me metoda speciale,  finalizoi fazën e 13-të të këtij operacioni.

Si rezultat i operacionit, në zonën e Vollgës, Durrës, u arrestua në flagrancë shtetasja L. H., 52 vjeçe, lindur dhe banuese në Armeni, e dyshuar si organizatore e këtij rasti të shfrytëzimit për prostitucion, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.

Gjithashtu, gjatë operacionit u procedua penalisht një 22-vjeçare nga Peruja, si dhe tre shtetas nga qarku Durrës, për veprën penale “Prostitucioni”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash, karta telefoni, bllok shënimesh etj.

Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se këto shtetase kishin marrë me qira dy apartamente, në zonën e Vollgës, lagjja nr. 1, dhe në zonën e Plazhit, lagjja nr. 13, Durrës, të cilat i kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.