Aktualitet

Protesta e PD zhvendoset te Parlamenti, policia përdor ujë me presion për shpërndarjen e turmës!

Protesta e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë është zhvendosur drejt Parlamentit, ku protestuesit janë grumbulluar në vijim të tubimit.

Policia ka ndërhyrë sërish për të kontrolluar situatën, duke vendosur një gardh efektivësh në zonën pranë xhamisë së Namazgjasë, me qëllim ndalimin e avancimit të turmës.

Sipas raportimeve nga terreni, forcat e rendit kanë përdorur ujë me presion për të shpërndarë protestuesit, ndërsa përplasjet kanë vijuar në disa momente.

Protestuesit kanë qëndruar përballë kordonit policor, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe e paqëndrueshme në zonën përreth Parlamentit.

Me përfundimin e fjalimit të kryedemokratit Sali Berisha, disa protestues kanë hedhur fishekzjarre drejt godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur një skenar të mëparshëm të tubimeve të opozitës.

Nga ana tjetër, policia është përgjigjur me gaz lotsjellës, ndërsa një numër i lartë efektivësh hyri në mesin e turmës dhe shoqëroi disa protestues.

Pas deputetit Flamur Noka dhe aktivistit Aulon Kalaja, edhe deputeti Luçiano Boçi është ndjerë keq gjatë protestës.

Një polic ka mbetur i lënduar në protestën e organizuar këtë të premte. Situata u tensionua menjëherë, pasi pati përplasje të efektivëve me protestuesit.

Efektivi mësohet se ka djegie dhe çarje në kokë.