Në kuadër të protestës masive të studentëve në Serbi, ndërtesa e Radiotelevizionit të Serbisë (RTS) në Beograd është bllokuar dhe në një moment, protestuesit janë përleshur me policinë. Ata kanë bërë të ditur se bllokada do të zgjasë për disa orë.
Jemi përshkruar si bandë nga një moderator i RTS-së, ndaj jemi duke bllokuar godinën. Nuk do të ketë dhunë dhe asnjë ndërhyrje. Të gjithë punëtorët do të mund të largohen nga ndërtesa, por askush nuk mund të hyjë, thanë studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Beograd.
Pjesëtarët e policisë janë brenda ndërtesës. Studentët kanë rrethuar edhe selinë e Radiotelevizionit të Vojvodinës (RTV) në Novi Sad. Drejtori Goran Karaxhiç iu refuzoi kërkesën për të raportuar se çfarë është duke ndodhur në hyrje të ndërtesës, ndaj studentët po vazhdojnë bllokimin.
Dhjetëra studentë e të tjerë qytetarë të Serbisë janë mbledhur para hyrjes së Radiotelevizionit të Kragujevcit (RTK), në shenjë solidariteti me të rinjtë që janë duke bllokuar shërbimet publike në Beograd e Novi Sad, njoftoi televizioni N1.
Përmes bllokadave dhe protestave, studentët po kërkojnë që autoritetet të mbahen përgjegjëse për vdekjen e 15 personave, si pasojë e rrëzimit të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Disa studentë shkuan në Koshtunjak, një lagje në Beograd, me synimin e bllokimit të studios tjetër të RTS-së. Policia tha se do të ndërhyjë vetëm nëse protestuesit përpiqen të hyjnë në ndërtesë forcërisht.
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç u shpreh se “policia nuk ka vepruar kundër protestueseve”, por u sulmua prej tyre, ndonëse në pamjet në rrjetet sociale shihet qartë se policia i ka sulmuar dhe rrahur studentët e qytetarët e tjerë. Një zyrtar policor u plagos ndërsa presidenti Aleksander Vuçiç deklaroi se “plaga e tij e rëndë në sy u shkaktua nga protestuesit”, të cilët i quajti “anëtarë të pleniumit bolshevik”.
Në rrjetet sociale, pamjet tregojnë se zyrtari policor i plagosur ka qenë me veshje civile në protesta dhe ka mundësi të jetë lënduar nga kolegët me uniformë. Marshimet e organizuara nga studentët në shumë qytete të Serbisë kanë qenë paqësore dhe nuk janë raportuar incidente.
Përmes bllokadave dhe protestave, studentët janë duke kërkuar publikimin e gjithë dokumentacionit për rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, për të vërtetuar se kush është përgjegjës për aksidentin.