Rajoni

Provimet të jepen në shqip, studentët shqiptarë sot protestojnë në Shkup!

Studentët shqiptarë të universiteteve në Maqedoninë e Veriut, sot mbajnë një protestë paqësore në Shkup, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.

Protesta nis në orën 12:30 nga Ura e Gurit dhe pritet të ketë pjesëmarrje masive.

Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit “Nënë Tereza”, Besar Sejdiu, iu bëri thirrje qytetarëve, institucioneve dhe aktorëve shoqërorë që të mbështesin protestën, duke e cilësuar si një kauzë për mbrojtjen e gjuhës shqipe.

Kjo nuk është vetëm lufta e studentëve, por luftë për mbrojtjen e gjuhës, deklaruan organizatorët.

Sipas medias vendase, protesta do të zhvillohet përgjatë itinerarit të përcaktuar: nisja nga sheshi “Karposhovo Vostanie”, rruga “11 Mars”, kalimi përmes Urës së Gurit, vazhdimi në rrugën “Nikola Vapcarov” dhe përfundimi në rrugën “Dimitrije Çupovski”, përpara Ministrisë së Drejtësisë.

Për shkak të protestës ka kufizime në qarkullimin rrugor. Ministria e Brendshme njoftoi se SPB Shkup – Njësia për Siguri në Trafikun Rrugor po merr masa për një regjim të veçantë trafiku, ndërsa iu bëri thirrje qytetarëve të respektojnë urdhrat e policisë.