Lifestyle

Pse Gen Z është brezi më i lodhur ndonjëherë? Studimet zbulojnë arsyet që po i rraskapitin të rinjtë…

Brezi Gen Z po përjeton një nivel lodhjeje të paprecedentë, më të lartë se çdo brez tjetër deri më sot. Kjo nuk është thjesht një ndjesi subjektive, por një realitet i mbështetur nga studime të fundit, të cilat tregojnë se lodhja fizike dhe mendore është kthyer në një gjendje të përhershme për shumë të rinj.

Ekspertët theksojnë se një nga faktorët kryesorë është mungesa kronike e gjumit. Përdorimi i vazhdueshëm i telefonave dhe pajisjeve digjitale, veçanërisht gjatë natës, po prish ciklet natyrore të gjumit dhe po e bën gjithnjë e më të vështirë rikuperimin e energjisë.

Për shumë të rinj, mendja nuk “fiket” kurrë plotësisht, sepse mesazhet, rrjetet sociale dhe puna janë gjithmonë të pranishme.

Një tjetër arsye lidhet me ndjesinë se puna dhe angazhimet nuk kanë më kufij. Edhe pas orarit zyrtar, shumë të rinj ndihen të detyruar të jenë të disponueshëm, çka e shndërron jetën e përditshme në një cikël të pandërprerë stresi dhe lodhjeje.

Gen Z përballet gjithashtu me një bombardim të vazhdueshëm lajmesh negative: kriza ekonomike, konflikte globale, ndryshime klimatike dhe pasiguri për të ardhmen.

Kjo ekspozim i përditshëm ushqen ankthin dhe ndjesinë e përgjegjësisë për të “rregulluar botën”, një barrë emocionale që shpesh është tepër e rëndë për t’u mbajtur.

Rrjetet sociale e përkeqësojnë më tej situatën. Krahasimi i vazhdueshëm me jetët e “përsosura” që shfaqen online dhe pritshmëritë e larta nga shoqëria dhe brezat më të vjetër krijojnë presion të vazhdueshëm për sukses, pamje dhe arritje.

Përveç kësaj, mungesa e hapësirave ku të rinjtë mund të lidhen realisht me njëri-tjetrin, ndjenja e vetmisë, konfuzioni në marrëdhëniet moderne dhe fakti që telefoni nuk e lejon mendjen të pushojë, e thellojnë edhe më shumë këtë lodhje.

Për shumë anëtarë të Gen Z, këta faktorë janë bërë pjesë normale e jetës së përditshme, duke i bërë të ndihen të rraskapitur edhe pa një shkak të qartë.

Dhe nëse u ndjeve i lodhur vetëm duke lexuar këtë listë, atëherë ke kuptuar saktësisht realitetin me të cilin po jeton brezi më i ri i shoqërisë.