Në një kohë kur industria e parfumerisë prodhon aroma gjithnjë e më të sofistikuara dhe reklamimi është i gjithpranishëm, një valë e re e sjelljes po përhapet mes të rinjve: zgjedhin të mos përdorin parfum fare. Kjo nuk lidhet më vetëm me thjeshtësinë apo kursimin e të ardhurave, por me një ndërgjegjësim më të thelluar ndaj përbërjes së produkteve dhe mënyrës se si ato ndikojnë trupin dhe mendjen.
Parfumet përmbajnë shpesh substanca të panjohura për konsumatorin e zakonshëm, ftalate, kimikate sintetike dhe përbërës që mund të shkaktojnë alergji, skuqje, madje edhe çrregullime hormonale. Të rinjtë që jetojnë me një ndjeshmëri të lartë ndaj trupit dhe mirëqenies së tyre, po orientojnë vëmendjen nga aromat intensive drejt pastrisë natyrale të lëkurës, duke zgjedhur deodorantë pa aromë ose produkte me përbërës organikë.
Në rrjetet sociale, kjo prirje po përkthehet në një “quiet beauty movement”, ku theksi nuk është më tek tërheqja përmes aromës, por tek pastërtia, minimalizmi dhe identiteti vetjak pa “maskime” të jashtme. Disa e shohin si një akt rebelimi ndaj presionit të përhershëm për të qenë joshës, të tjerë si një mënyrë për të ruajtur neutralitetin e hapësirës në ambiente publike apo në punë.
Në Shqipëri, kjo qasje po përhapet me shpejtësi mes vajzave dhe djemve të grupmoshave 18-28 vjeç, që janë gjithnjë e më të interesuar për etikën e produkteve që përdorin dhe ndikimin e tyre tek trupi dhe mjedisi. Ndërsa markat e mëdha kërkojnë të mbeten relevante, është e qartë se parfumi po kalon nga domosdoshmëri, në zgjedhje personale dhe gjithnjë e më shpesh, në një zgjedhje për të mos e përdorur fare.