Në një kohë ku çdo hap i ditës është i planifikuar, çdo minutë i dedikohet produktivitetit dhe çdo lëvizje ka një qëllim, ideja e të ecurit pa destinacion mund të duket si luks apo humbje kohe. Por në të vërtetë, ky është një nga sekretet më të fuqishëm dhe më të vjetër për rilidhjen me mendjen, trupin dhe kreativitetin. Kjo praktikë, e njohur edhe si “flânerie” në kulturën franceze, konsiston në shëtitje pa një objektiv konkret, pa harta, pa orar, pa muzikë apo telefon. Vetëm ti, hapat e tu, frymëmarrja dhe ajo që sheh rrugës.
Çfarë ndodh në tru kur ecën pa destinacion?
Sipas një studimi nga Stanford University, ecja rrit kreativitetin deri në 60% në krahasim me qëndrimin ulur. Por kur kjo ecje bëhet pa një qëllim të qartë, truri kalon në një gjendje të quajtur “default mode network”, një formë e lirshme e aktivitetit mendor që ndihmon në zgjidhjen e problemeve, lidhjen e ideve dhe qartësimin e mendimeve të turbullta.
Përfitimet e shëtitjes pa drejtim përfshijnë:
- Qetësim të sistemit nervor
- Qartësi emocionale dhe reflektim pa ndërprerje
- Rritje të kreativitetit dhe ideve spontane
- Vetëdije për detajet e mjedisit që zakonisht i neglizhojmë
- Ndjesi të përkatësisë në hapësirën ku jetojmë
Si ta kthesh në zakon të përditshëm?
- Dil çdo ditë për 20 minuta pa asnjë plan rruge
- Mos merr telefonin ose mbaje në “silent”
- Vëzhgo ndërtesat, njerëzit, aromat, zhurmat, pa i gjykuar
- Jep vetes lejen të mos jesh produktiv
Nëse ndihesh i ngarkuar, konfuz apo thjesht i bllokuar kreativisht, një shëtitje pa drejtim mund të jetë mjeti më i fuqishëm për të kthyer veten në qendër. Sepse ndonjëherë, vetëm kur nuk dimë ku po shkojmë, arrijmë aty ku kemi më shumë nevojë të jemi.