Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës që anuluan samitin e kryeqytetit hungarez Budapest të planifikuar mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut rus, Vladimir Putin. Kjo pas qëndrimit të vendosur të Rusisë ndaj kërkesave të papajtueshme në lidhje me Ukrainën. Kështu shkruan Financial Times. Sipas gazetës londineze, vendimi erdhi pas një telefonate të tensionuar mes liderëve diplomatikë të të dy vendeve.
Ndërkohë, një tjetër breshëri dronësh dhe raketash ruse ka synuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës në një fushatë që rrezikon të përkeqësojë në mënyrë dramatike vështirësitë e Kievit në sigurimin e ngrohjes dhe energjisë elektrike për dimrin.
Furnizuesi kryesor i energjisë, Ukrenergo, u detyrua të vendosë ndërprerje të energjisë në disa rajone të vendit pasi sulmet goditën dhjetë rajone, sipas presidentit Volodymyr Zelensky.
Mbrojtja ajrore ruse ka kapur dhe shkatërruar 130 dronë ukrainas mbi disa rajone gjatë natës, referuar TASS-it, duke cituar burime të Ministrisë së Mbrojtjes. Rajonet Belgorod, Rostov e Volgograd, si dhe Moska ishin mes atyre që u sulmuan.
Drejt Ukrainës, Rusia ka hedhur raketën 9M729, me emrin e koduar të NATO-s SSC-8, për plot 23 herë që nga muaji gusht. Zhvillimi i saj sekret i shtyu Shtetet e Bashkuara të Amerikës të braktisnin Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF) në vitin 2019, siç raporton Reuters në një ekskluzivitet online.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha konfirmoi përdorimin e raketës së lëshuar nga toka në luftime. Uashingtoni pretendoi se raketa shkel Traktatin e INF-së e mund të fluturojë përtej limitit të deklaruar prej 500 km. Sipas faqes së internetit Missile Threat, raketa, e cila mund të mbajë një kokë bërthamore ose konvencionale, ka një rreze veprimi prej 2 mijë e 500 km.
Ukraina dhe aleatët po punojnë për të hartuar një plan paqeje që do të zbatohet në një dokument të vetëm, sipas kreut të Zyrës Presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak.
Ka shumë raportime mediatike rreth planeve alternative, të tilla si Shtetet e Bashkuara kanë një, BE-ja një tjetër dhe vendet individuale të tjera. Dua ta bëj të qartë se ky nuk është rasti. Nuk ka plane të ndryshme nga të cilat zgjedhim.
As nuk ka plane nga të cilat zgjedh dikush tjetër. Ka diskutime pune mbi formulimin, por të gjithë partnerët janë në komunikim të vazhdueshëm.
Shefi i stafit presidencial sqaroi se rezultati i bisedimeve do të jetë një dokument i vetëm i zhvilluar bashkërisht nga Ukraina dhe partnerët ndërkombëtarë, i cili do të marrë parasysh interesat ukrainase:
Ky nuk është një konkurs midis nismave. Bëhet fjalë për gjetjen e sinergjisë midis Ukrainës, Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë. Sigurisht, pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara është thelbësore.