Aktualitet

Moti i keq, trageti i linjës Vlorë-Brindisi anulon mbërritjen e nesërme!

Kapiteneria e Portit Vlorë njofton se për shkak të përkeqësimit të situatës hidrometeorologjike detare u vendos ndalimi i nisjeve për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit që operojnë brenda Gjirit të Vlorës e në det të hapur. Ndërkaq, trageti i linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë ka anuluar mbërritjen e datës së nesërme.

Ky ndalim është në fuqi nga mesdita e sotme e deri në orën 06:00 të datës 26 janar 2026. Parashikimi i motit tregon erë me drejtim Jug–Juglindje, me forcë 7–8 ballë dhe dallgë me lartësi 2.50–4.00 metra.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse, ndërsa trageti i linjës Vlorë–Brindisi–Vlorë ka anuluar mbërritjen e datës 25 janar 2026.

Kapiteneria kërkon bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për të marrë masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe për rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve.