Kryeprokurori Altin Dumani u pyet në Kuvend nga deputeti Tedi Blushi, sa i përket arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta.
Ai u shpreh se arrestimi i Metës ishte përgjegjësi e policisë dhe jo e Prokurorisë.
Pyetja e Blushit: Pse BKH-ja e shmangu marrjen pjesë në atë show politik gjatë arrestimit të Metës?
Përgjigja e Dumanit: Masat e sigurimit janë përgjegjësi e policisë, jo e Prokurorisë.
Nëse kryebashkiaku Erion Veliaj po hetohet për inceneratorin e Tiranës, Dumani u përgjigj se hetimet vijojnë ende.
“Dua të them se, siç ju e dini, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar për këto procedime penale”,- tha Dumani.
Dumani tha se asnjë person nuk është i paprekshëm, madje as kryeministri Rama.
Sa i takon punës së SPAK në vitin që lamë pas, Dumani tha se janë sekuestruar pasuri me vlerë 6.5 mln euro. Ndërkohë, kritikave për masat e tepruara të arrestit me burg u përgjigjet duke thënë se vetëm 9.7% e të paraburgosurve janë persona në hetim nga SPAK.
Sali Berisha mungoi në nisje të fjalës së Dumanit dhe u rikthye në sallë në përfundim të saj, kur kreu i SPAK nisi t’iu përgjigjet pyetjeve. Ndonëse nuk ka regjistruar pyetje për të, Berisha parashikohet të mbajë një fjalë 15 minutëshe, pasi Dumani të ketë përfunduar me përgjigjet e pyetjeve.