Botë e Çuditshme

Punëtorët e aeroportit të Pitsburgut gjejnë diamantin që ra nga unaza e një udhëtareje!

Punonjësit e mirëmbajtjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Pittsburghut ndihmuan një udhëtare të gjejë një diamant të humbur. April Schmitt, pas një udhëtimi pune në Los Angeles, vuri re se i mungonte diamanti i unazës së fejesës. Gjatë marrjes së valixhes, ajo humbi gurin e çmuar. Pas kërkimeve të stafit teknik të aeroportit, diamanti u gjet pas rreth katër orësh. April u njoftua menjëherë dhe u kthye për ta marrë gurin e çmuar. 

Rikujtojmë se diamanti i rrallë i kaltër “Blu Mesdhetar” me peshë 10,03 karatë është shitur në një ankand në Gjenevë për 19,2 milionë euro, njoftoi shtëpia e ankandeve Sotheby’s. Tobijas Kormind, drejtor i kompanisë 77 Diamonds, argjendaria më e madhe online në Evropë, tha se shitja e diamantit, vlera e të cilit ishte vlerësuar në 20 milionë dollarë (rreth 17,8 milionë euro), ishte “më pak mbresëlënëse” nga sa pritej.

“Diamanti e tejkaloi vlerësimin fillestar prej 20 milionë dollarësh, gjë që tregon për një interes të konsiderueshëm. Por pasiguria e përgjithshme, përfshirë tensionet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, ndoshta ka ndikuar në uljen e besimit të ofruesve”-tha Kormind. Shtëpia e ankandeve Sotheby’s bëri të ditur se një koleksionist amerikan fitoi gurin e çmuar pas një gare mes dy ofertuesve, e cila filloi nga nëntë milionë franga zvicerane (rreth 9,6 milionë euro) dhe zgjati “gati tre minuta”.