Vladimir Putin ka urdhëruar hyrjen e trupave ruse në territoret e Ukrainës Lindore të kontrolluara nga separatistët pro-Moskës duke e përshkruar këtë si një mision “paqeruajtës”.
Urdhri erdhi vetëm pak orë pasi vetëm disa orë pasi presidenti rus firmosi dekretet për njohjen e pavarësisë së rajoneve të mbështetura nga Moska. Është e paqartë nëse këto lëvizje të forcave të Moskës shënojnë fillimin e një pushtimi të Ukrainës, për të cilin udhëheqësit perëndimorë kanë paralajmëruar për javë të tëra.
Por shumë zyrtarë amerikanë dhe perëndimorë paralajmëruan se ky mund të jetë hapi i parë i një operacioni më të madh ushtarak dhe një sulmi gjithëpërfshirës të Rusisë ndaj vendit fqinj. Ambasadorja e SHBA në OKB Linda Thomas-Greenfield, e cituar nga CNN, tha në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën në mbrëmje se njohja e rajoneve pro-Moskës nga Putin ishte një “përpjekje për të krijuar një pretekst për një pushtim të mëtejshëm”.
Pretendimi se forcat ruse po hyjnë atje si “paqeruajtëse” është “marrëzi”. Ne e dimë shumë mirë se çfarë janë ata në të vërtetë,” tha Thomas-Greenfield. Presidenti Zelensky deklaroi se nuk e pranojnë lëshimin e dy territoreve, ndërsa tha se pret ndihmë të efektshme nga perëndimi.
Zelensky: Kufijtë ndërkombëtarë të Ukrainës mbeten në fuqi pavarësisht deklarave ruse. Ne nuk do t’i dhurojmë asgjë, askujt. Pres ndihmën e perëndimit; tani do të tregohet se kush është “një mik i vërtetë dhe partner”, dhe kush do të vazhdojë do ta frikësojë Rusinë vetëm me fjalë.
44 vjeçari theksoi, se Ukraina do t’i qëndrojë besnike rrugës diplomatike, ndërsa ka thirrrur një samit urgjent të formatit të Normandisë, edhe pse thotë se vendi i tij nuk i druhet pushtimit dhe se rusët do të hasin në rezistencë të fortë.
Zyrtarët e administratës Biden kanë diskutuar me qeverinë ukrainase planet që presidenti Volodymyr Zelenskyy të largohet menjëherë nga Kievi sapo të fillojë mësymja e Moskës.
Sipas planit, ai do të zhvendoset në Lviv në Ukrainën perëndimore, rreth 50 milje nga kufiri polak, aty ku u dërgua dhe stafi i ambasadës amerikane pohuan burime që janë në dijeni të këtij propozimi. Presidenti Joe Biden dhe Zelenskyy komunikuan në telefon të hënën, e me sa duket, edhe lëvizjet që e presin kreun e shtetit ukrainas kanë qenë pjesë e bisedës. SHBA evakuoi pjesën më të madhe të stafit të ambasadës së saj në Kiev më 12 shkurt dhe zhvendosi operacionet në Lviv për shkak të shqetësimeve të sigurisë në lidhje me forcimin e vazhdueshëm ushtarak të Rusisë në kufirin ukrainas. Zyrtarët amerikanë po paralajmërojnë tani për një pushtim të afërt e thonë se forcat ruse mund të arrijnë shpejt në Kiev.