Që nga fillimi i dhjetorit, në Belgjikë janë parë gjithsej vetëm 6 orë e 11 minuta dritë dielli. Sipas të dhënave të Institutit Mbretëror Meteorologjik, dita më me diell e këtij muaji në Bruksel ishte 1 dhjetori, kur dielli u shfaq vetëm për 3 orë e 44 minuta. Pas 1 orë e 55 minuta dritë të ditës më 7 dhjetor, qielli u bë plotësisht gri.
Instituti raportoi se mesatarja e diellit për dhjetorin ishte gjithsej 48 orë e 35 minuta dhe ky muaj do të ishte dukshëm nën këtë nivel. Kur u përfshinë edhe shtatori, tetori dhe nëntori, dielli ishte i dukshëm për një total prej 259 orë e 47 minuta. Sipas institutit, mesatarja për këtë periudhë është 332 orë e 52 minuta. Sipas matjeve që nisën në vitin 1981, në 3 muajt e fundit vendi përjetoi një nga periudhat e tij më të “errëta”.
Jemi zyrtarisht në sezonin e depresionit dimëror, apo siç njihet ndryshe si SAD! Simptomat e “depresionit dimëror” shfaqen në vjeshtë dhe zhduken në pranverë ose verë. Ndryshimi i orës, kur dita bëhet gjithnjë e më e shkurtër, është gjithashtu një shkaktar i zakonshëm për ‘SAD’. Kjo do të thotë që kur dita mbaron shpejt, zvogëlohet edhe sasia e ekspozimit ndaj dritës që shumica e njerëzve marrin në një cikël 24-orësh. Dhe, siç e dimë, ekspozimi më i vogël në dritën e ditës ka një ndikim të rëndësishëm psikologjik.
Çfarë e shkakton “depresionin e dimrit”? Shkencëtarët thonë se si qelizat e specializuara në sytë tanë konvertojnë pjesën blu të spektrit të dritës në sinjale nervore që ndikojnë në disponimin dhe vigjilencën. Drita e diellit, e cila përmban dritë blu, aktivizon qendrat e vigjilencës së trurit, kur qelizat e thithin atë, dhe kjo na bën të ndihemi më të zgjuar dhe ndoshta edhe më të lumtur.