Rajoni

Qeveria e Kosovës miraton rritjen e pensioneve për kategoritë e luftës!

Qeveria e Kosovës i dha dritën jeshile rritjes me 20% të pensioneve, për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në vend. Kabineti i kryeministrit Albin Kurti miratoi përditësimin e një aneksi në Ligjin për kategoritë e luftës, duke mundësuar rritjen e premtuar tetorin e vitit të kaluar. Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se për të gjitha kategoritë e veteranëve, invalidëve dhe viktimave të dhunës seksuale, rritja do të jetë 20% mbi shumën aktuale të pensionit.

Siç patëm njoftuar në tetor, sot, edhe zyrtarisht, aprovohet rritja për 20% mbi shumën aktuale për familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, pjesëtarë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimat e dhunës seksuale dhe viktimat civile.

Për disa kategori ka rritje edhe përtej shkallës prej 20%. Kategoritë që përfitojnë rritje mbi 20% janë familjet e dëshmorëve të UÇK-së që kanë dy ose më tepër të rënë në luftë, familjet e të zhdukurve të UÇK-së që kanë mbi dy të zhdukur, si dhe ato të viktimave civile.

Me rritjen e re, Murati tha:

Familja që ka një dëshmor lufte do t’i marrë 537 euro në muaj, familja që ka dy dëshmorë lufte do t’i përfitojë 806 euro, familja që ka tre dëshmorë do të marrë pension mujor prej 1.075 eurosh, ndërsa ajo që ka katër dëshmorë lufte, 1.344 euro.

Skema e pensioneve për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës sipas kategorive ka të përfshirë 12 mijë e 681 përfitues, referuar të dhënave të Agjencisë Kosovare të Statistikave (ASK).

Kjo është rritja e parë në 10 vitet e fundit për këto kategori, prej kur ishin bërë këto skema më 2014-ën, u shpreh ministri. Rritja do të vlejë nga ky muaj.

Deri tani, viktimat e dhunës seksuale të luftës kanë marrë pension në vlerë 230 euro dhe sot me rritjen e re do të gëzojnë pension prej 276 eurosh. Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet. Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.

Pensioni i veteranit ka qenë 170 euro deri tani dhe me rritjen prej 20%, një veteran do të marrë 204 euro pension mujor. Referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37 mijë e 6 persona janë përfitues nga skema për veteranët e luftës.