Zjarret që po përfshijnë Spanjën po marrin përmasa alarmante, me sipërfaqe të tëra pyjore të shkrumbuara dhe dhjetëra vatra ende aktive.
Deri tani këtë vit, vendi ka regjistruar katër herë më shumë zjarre të mëdha se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa flakët kanë djegur mbi 100 mijë hektarë tokë, një sipërfaqe që përkon me mesataren vjetore të dekadës së fundit.
Kryeministri Pedro Sanchez vizitoi një nga zonat e prekura për të parë nga afër pasojat e zjarreve dhe për të takuar ekipet e emergjencës që po luftojnë me flakët. Ai bëri thirrje për unitet politik dhe për më shumë investime në parandalimin e fatkeqësive që lidhen me ndryshimet klimatike.
“Ka pasur katër herë më shumë zjarre të mëdha deri tani këtë vit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Si pasojë e një ose më shumë vatrave të zjarrit, në të gjithë Spanjën janë djegur mbi 100 mijë hektarë tokë. Për ta vënë në perspektivë, kjo është mesatarja vjetore e sipërfaqes së djegur që Spanja ka regjistruar gjatë dekadës së fundit”, u shpreh Sanchez.
Autoritetet spanjolle vijojnë operacionet për izolimin e vatrave, ndërsa temperaturat e larta, era dhe thatësira po e vështirësojnë punën e zjarrfikësve. Qeveria paralajmëron se zjarret ekstreme po bëhen gjithnjë e më të shpeshta për shkak të emergjencës klimatike.
“Edhe një herë u bëj thirrje të gjitha forcave politike të lënë mënjanë interesat partiake dhe të përqendrohen te armiku ynë i përbashkët: emergjenca klimatike. Kjo do të thotë jo vetëm të shuajmë zjarret, por edhe të zbatojmë politika për parandalimin dhe ndërgjegjësimin, të sigurojmë financime të qëndrueshme gjatë gjithë vitit dhe të angazhohemi për politika që zbusin efektet e emergjencës klimatike dhe na ndihmojnë të përshtatemi me të”, shtoi kryeministri spanjoll.
Edhe Franca fqinje po vuan nga zjarret që kanë djegur sipërfaqe të mëdha toke, ndërsa temperaturat janë mbi 40 gradë.