Aktualitet

Qeveria miraton planin e ri për mbrojtjen dhe administrimin e Parkut Arkeologjik të Apolonisë!

Këshilli i Ministrave ka miratuar planin e ri për Parkun Arkeologjik të Apolonisë, duke përditësuar mënyrën e mbrojtjes dhe administrimit të një prej siteve më të rëndësishme arkeologjike në vend.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, i cili tha se me vendimin e miratuar Apolonia shpallet “Pasuri Kulturore e Paluajtshme”, në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 27/2018 për trashëgiminë kulturore.

Sipas tij, një nga ndryshimet kryesore lidhet me kufijtë e parkut, të cilët janë përditësuar sipas koordinatave zyrtare të përcaktuara nga ASIG. Në këtë mënyrë synohet që kufijtë e zonës së mbrojtur të jenë të përcaktuar sipas standardeve shtetërore.

Plani i ri përcakton më qartë kriteret, procedurat dhe përgjegjësitë e institucioneve për ruajtjen, konservimin, restaurimin dhe administrimin e Parkut Arkeologjik. Në të njëjtën kohë, ai e ndan parkun në zona me nivele të ndryshme mbrojtjeje, bazuar në potencialin arkeologjik të secilës zonë dhe në rezultatet e kërkimeve të kryera ndër vite.

LEXO EDHE: Zbardhja e vendimit të Kushtetueses për Veliajn, avokati Ndreca: U konfirmua mungesa e testit të proporcionalitetit për masën e sigurisë !

Sipas Gonxhjes, ndryshimet forcojnë bazën ligjore për mbrojtjen e Parkut Arkeologjik të Apolonisë dhe krijojnë rregulla më të qarta për ruajtjen, studimin dhe administrimin e tij, me synimin që siti të vijojë të zhvillohet si një nga destinacionet kryesore të trashëgimisë kulturore dhe turizmit në Shqipëri.

LEXO EDHE: “Protestuesit nuk po bënin asgjë”, Berisha komenton tensionet e djeshme: Policia u vërsul me tërbim ndaj tyre, të ngjashme me skenat e Zvërnecit