Pak orë pasi protestuesit dorëzuan në Prokurorinë e Posaçme librin “The Albanian Files”, duke kërkuar hetimin e kryeministrit Edi Rama dhe paralajmëruar një kallëzim penal, kreu i qeverisë reagoi me ironi në rrjetet sociale.
Në një postim të publikuar pasditen e kësaj të mërkure, Rama e cilësoi botimin si “Libri i mallkuar”, ndërsa bëri të ditur se ai do të dalë së shpejti në librari. Njëkohësisht, ai ironizoi faktin që, sipas tij, libri po trajtohet si provë penale.
“LIBRI I MALLKUAR së shpejti në ‘Adrion’, pasi sapo hyri sot në histori si i pari libër, që trajtohet si provë krimi 80 vjet pas rënies së nazizmit dhe 35 vjet pas rënies së komunizmit”, shkroi Rama.
Më herët gjatë ditës, një grup protestuesish iu drejtuan SPAK-ut, ku dorëzuan simbolikisht librin “The Albanian Files”, të cilin e cilësojnë si një përmbledhje të shkeljeve të kryera, sipas tyre, nga kryeministri.
Në deklaratën para SPAK, organizatorët thanë se libri përmban të dhëna për 523 projekte dhe pretenduan se ai dokumenton shmangien e konsultimit publik, konflikt interesi dhe favorizim të interesave private. Ata shprehën mbështetje për SPAK-un dhe kërkuan nisjen e hetimeve ndaj kryeministrit.