Aktualitet

Qeveria nxjerr për konsultim Këshillin Fiskal, institucioni i ri do të monitorojë buxhetin dhe financat publike…

Qeveria po hedh për konsultim publik projektligjin për krijimin e Këshillit Fiskal, një institucion i ri i pavarur që do të monitorojë politikat fiskale dhe buxhetore të vendit dhe do t’i raportojë drejtpërdrejt Kuvendit. Nisma synon të forcojë kontrollin mbi financat publike dhe të afrojë më tej Shqipërinë me standardet e Bashkimit Europian.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se krijimi i Këshillit Fiskal është pjesë e angazhimit për më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri në qeverisje.

“Të vendosur për të garantuar edhe më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri në qeverisje. Edhe pse Shqipëria vlerësohet si lider në rajon për transparencën buxhetore, po ndërmarrim një tjetër hap të rëndësishëm në përputhje me standardet e Bashkimit Europian, përmes krijimit të Këshillit Fiskal. Projektligji i ri, tashmë për konsultim publik, parashikon se ky institucion i pavarur do të kontribuojë në forcimin e disiplinës fiskale, rritjen e transparencës dhe garantimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike”, shkruan Malaj në rrjetet sociale.

Sipas projektligjit, Këshilli Fiskal do të jetë një institucion i pavarur publik me status personi juridik, i cili do të ushtrojë aktivitetin e tij i pavarur nga qeveria dhe çdo institucion tjetër publik apo privat. Misioni i tij do të jetë monitorimi i politikës fiskale, vlerësimi i qëndrueshmërisë së financave publike dhe evidentimi i rreziqeve që mund të ndikojnë te buxheti i shtetit.

Një nga detyrat kryesore të institucionit do të jetë analizimi i parashikimeve makroekonomike dhe buxhetore mbi të cilat ndërtohet buxheti i shtetit. Këshilli Fiskal do të japë opinione të pavarura për Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal, projektbuxhetin vjetor, raportet e zbatimit të buxhetit dhe respektimin e rregullave fiskale që lidhen me deficitin, borxhin publik dhe kufijtë e shpenzimeve.

Projektligji parashikon që opinionet e Këshillit Fiskal për Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal, si edhe për projektbuxhetin, të bashkëlidhen me dokumentet që i paraqiten Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit. Në rast se Ministria e Financave nuk merr parasysh vërejtjet e institucionit, ajo do të duhet të argumentojë zyrtarisht arsyet e mospranimit të tyre.

Këshilli Fiskal do të përbëhet nga tre anëtarë me mandat gjashtëvjeçar, të emëruar nga Kuvendi pas një procedure publike aplikimi dhe përzgjedhjeje. Anëtarët duhet të kenë eksperiencë të konsiderueshme në ekonomi, financa publike ose makroekonomi dhe nuk mund të kenë lidhje politike apo funksione në administratën publike gjatë dy viteve para emërimit.

Për mbështetjen e aktivitetit të tij do të krijohet edhe një sekretariat teknik me pesë ekspertë. Institucioni do të financohet nga Buxheti i Shtetit, ndërsa veprimtaria e tij do t’i nënshtrohet auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Sipas draftit, Këshilli Fiskal pritet të luajë një rol kyç në mbikëqyrjen e financave publike dhe në forcimin e besueshmërisë së politikave fiskale, në kuadër të përafrimit të Shqipërisë me praktikat dhe kërkesat e Bashkimit Europian.