Bota

Rafineria e naftës në Moskë goditet përsëri nga dronët!

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se u godit nga dronët Rafineria e Naftës e Moskës, furnizuesja më e madhe me naftë në rajonin e kryeqytetit rus.

Sobyanin e përshkroi incidentin si sulm të madh me dronë ndaj kryeqytetit rus, duke pretenduar se 180 dronë ishin “rrëzuar teksa po i afroheshin Moskës”.

Megjithatë, vuri në dukje se disa dronë kishin arritur ta godisnin rafinerinë në qarkun juglindor Kapotnja dhe se po merreshin masa për t’i përballuar pasojat.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin vërejtur dhe shkatërruar 555 dronë ukrainas gjatë natës në rajone të ndryshme, përfshirë Moskën, Krimenë dhe Detin e Azovit.

Gjithashtu u raportua se mbetjet e dronëve të rrëzuar ranë në territorin e tregut Sadovod, një nga tregjet më të mëdha me shumicë dhe pakicë në Moskë.

Kanalet ruse në Telegram, duke cituar dëshmitarë, raportuan për zjarre pas sulmit dhe re të dendura tymi mbi qytet. Sulme u raportuan gjithashtu në rajonet ruse të Rostovit dhe Belgorodit.

Kanali rus në Telegram, Astra raportoi se një sulm shkaktoi zjarr në një rafineri nafte në Gukovo, në rajonin e Rostovit, ndërsa një magazinë me materiale të ndezshme po digjej në Shebekino, në rajonin e Belgorodit.

Autoritetet në këto rajone nuk kanë dhënë hollësi mbi objektet që u goditën. Ushtria ukrainase ende nuk ka komentuar mbi sulmet. Rafineria e Naftës së Moskës në Kapotnja u godit gjithashtu më herët këtë javë, më 16 qershor.

Pas atij sulmi, Reuters, duke cituar dy burime anonime nga industria, raportoi se rafineria kishte pezulluar operacionet.

Sipas burimeve të Reuters, sulmi ndaj rafinerisë, në pronësi të Gazpromneft, degës së naftës së gjigantit shtetëror energjetik Gazprom që ndodhet në juglindje të Moskës, dëmtoi njësinë kryesore të përpunimit, e cila përfaqëson 53% të kapacitetit të uzinës.