Aktualitet Lajmet e fundit Sport

Rama: “Giro d’Italia” në Shqipëri, si një ëndërr që bëhet realitet”/Kryeministri mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar në Romë (Foto)

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të “Xhiros së Italisë 2025”, si një nga personalitetet mes organizatorëve të eventit. Rama foli gjerësisht për lidhjet e forta që Shqipëria ka me Italinë, veçanërisht në sport. Kryministri tha se fakti që “Giro D’Italia” do të nisë nga Shqipëria, ngjan me një histori me fund të lumtur. Rama ka falenderuar organizatorët që e përfshinë vendin tonë në këtë edicion. Ai nuk i kurseu batutat me biznesmenin Urbano Cairo, presidentin e klubit të Torinos, i cili merrte pjesë në event.

Rama: “Privilegj i madh të jem këtu, kam dëgjuar se ishte e vështirë për të patur një marrëveshje me presidentin Cairo. Më duhet të them që e arritëm. Nëse ma kërkon Groenlanda mua, do ofroja Cairon të negocionte me Trump”

“Jam shumë i kënaqur të themi që kemi marrë konfirmimin që Shqipëria është zgjedhur për nisjen e madhe 2025. E di që ka patur shumë vende që konkurruan për këtë nisje të garës dhe për këtë jam edhe më i lumtur, sepse kemi mundur shumë të tjerë, që janë  më të mëdhenj e më të pasur. Për t’u treguar po ashtu vendin tonë të mrekullueshëm 800 milionë spektatorëve në 200 stacione televizive në gjithë botën, që transmetojnë drejtpërdrejt ‘Giro d’Italia”-n, ka thënë më parë Rama.

LEXO EDHE: Rama niset drejt Italisë: Do prezantoj “Giro d’Italia”-n. Bukuritë e vendit në sytë e 800 mln shikuesve

Më parë, gjatë ceremonisë, ministri i jashtëm Italian, Antonio Tajani tha se këtë edicion përfshijmë një vend mik të Ballkanit perëndimor, që punon për të hyrë në Bashkimin Evropian, si për t’i treguar se mund të ndihet që tani pjesë e Evropës.

Për herë të parë në histori, Shqipëria do të jetë mikpritëse e nisjes së madhe, të Edicionit të 108-të të “Turit çiklistik të Italisë”.  Gjithçka fillon më 9 maj, me etapën e parë, që starton në Durrës dhe përfundon në Tiranë.  Do të ketë një garë të kronometruar në Kryeqytet më 10 maj dhe një ditë më vonë, etapa e tretë dhe e fundit për Shqipërinë, do të zhvillohet në Vlorë.