Kryesocialsiti Edi Rama nga Shkodra, bastioni i së djathtës, kërkoi votën edhe të demokratëve, duke iu premtuar jo vetëm pasaportën e Bashkimit Europian, por duke u kujtuar edhe punën që kanë bërë për Shkodrën. Në 2 vite, që kur në krye të saj u vendos për herë të parë një socialist, Benet Beci, Rama tha se kanë bërë për Shkodrën më shumë se kurrë më parë, në ndryshim nga PD-ja që për vite më radhë ndërtoi vetëm ‘noc rrokun’.
“Ne sot kemi mundësi t’u themi të gjithëve që vetëm në 2 vjet ne kemi bërë për Shkodrën sa nuk është bërë në të gjitha vitet e mëparshme të marra së bashku. Madje akoma më keq për ata, se në 2 vjet ne kemi ndërtuar sa kemi mundur, po s’kemi bërë asnjë dëm, ndërsa në vitet e mëparshme ata kanë ndërtuar ‘noc rrokun’ dhe kanë bërë vetëm dëme”, tha kryesocialisti Edi Rama.
Në takimin me gratë dhe vajzat, Rama kujtoi ‘luftën’ që ka bërë për të marrë votën nga Shkodra, duke thënë se këneta për vite me radhë i la të zhytyr në gropë.
LEXO EDHE: Shkodër, Rama në prezantimin e projektit të shkollës ‘Ismail Qemali’: Gur themeli i historisë së arsimit!
“Unë s’jam më në pozitën që të vij këtu si shumë herë, gati-gati t’ju ulem në gjunjë e me ju lut shkodranëve: “Aman ma besoni këtë punë që t’ju tregoj çfarë di të bëj, pastaj gjykoni vetë.” Sa herë ia besuat kënetës, zhyty më thellë dhe votoni më shumë për kënetën”, tha Rama.
Kryesocialisti Rama kujtoi takimin e parë në Pallatin e Sportit të Shkodrës, kur kishte vetëm pak vajza e gra, por sot panorama për të ishte ndryshe.
“Sot kjo sallë e mbushur për mua është shumë kuptimplotë. Sepse së bashku kemi arritur që të vendosim një ekuilibër që mungonte plotësisht, mes grave dhe vajzave”, tha Rama.
Mesazhin për burrat demokratë nuk mungoi.
“Unë mendoj se të zgjedhësh kënetën në krahasim me BE-në, je çyruk, je gjysmak, jo në të vërtetë, por politikisht. Ndaj u bëj thirrje që të vijnë këtej e të votojnë PS nëse s’duan të jenë të tillë, ky është test”, theksoi Rama.