Aktualitet Tech

Rama: Shqipëria nuk do e zgjasë ndalimin 1-vjeçar të platformës TikTok!

Për Politico-n, kryeministri Edi Rama deklaroi  se Shqipëria nuk do e zgjasë ndalimin 1-vjeçar të platformës TikTok. Ndërsa vlerësoi platformën për bashkëpunimin, Rama theksoi se ishte “shumë i befasuar” nga reagimi i TikTok-ut pas vendimit fillestar të Shqipërisë për ta ndaluar.

Sepse në fillim, për shkak se ishte normale të mendonim se do të na luftonin, ata do të hakmerreshin ndaj nesh e do të na ngacmonin. I takova vetë dhe mbeta shumë i impresionuar nga qëndrimi i tyre. Ata po i dëgjonin me shumë kujdes pikat tona.

Rama vuri në dukje se pas takimeve konstruktive me platformën e mediave sociale, janë të kënaqur me rezultatin.

E kemi bërë partneritetin dhe shpresoj që në javët ose muajt në vijim do t’ia zbulojmë planin popullit shqiptar, siç e premtuam.

Shqipëria vendosi të mbyllte platformën e TikTok-ut në mars të këtij viti, pas rreth një viti bisedimesh me TikTok-un mbi abuzimin online, përfshirë dy vetëvrasje që besohet se lidhen me ngacmimin në platformë. Goditja fatale me thikë e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet më 18 nëntor 2024, pas një sherri online, ishte pika e fundit.

Qeveria urdhëroi ofruesit e shërbimeve të internetit të bllokonin aksesin në versionet e desktop-it e të aplikacioneve. Kur u pyet nëse ndalimi ishte efektiv në frenimin e dhunës në shkolla, Rama u përgjigj:

Ka qenë efektiv në ndërtimin e kësaj marrëdhënieje me TikTok-un dhe në sjelljen e disa masave mbrojtëse që nuk ekzistonin.