Sport

Rasëll feston në Kanada, Norris e katranos në fund. Çfarë ndodhi në Formula 1

Fitore nga “pole position” për Xhorxh Rasëllin dje në Çmimin e Madh të Kanadasë. Piloti i Mercedesit e kontrolloi mjaft mirë në start rivalin e tij më të afërt, Maks Vershtapenin, për ta menaxhuar më pas garën me autoritet deri në fund, duke shënuar suksesin e parë sezonal në Formula 1.

Me holandezin e Red Bullit në vend të dytë, podiumi u plotësua nga një tjetër makinë Mercedes, teksa Andrea Kimi Antoneli siguroi për herë të parë në karrierë një vend në top-3, pas 10 prezencash në F1. Kështu, pas 16 vitesh, një pilot italian u rikthye në podiumin e Formulës 1. Vetëm vendi i katërt shkoi për liderin e kampionatit, Oskar Piastrin, i cili dhuroi shkëndija në pistë me shokun e skuadrës, Lando Norrisin. Dy makinat MekLaren u përplasën 3 xhiro nga fundi, ndërsa anglezi e mbylli garën para kohe për shkak të gabimit të tij, duke goditur nga pas australianin.

Tjetër garë zhgënjyese për Ferrarin, me ekipin italian që e mbyll jashtë podiumit. Sharl Lëklerk polemizoi në radio me skuadrën për strategjinë, ndërsa falë gabimit të Norrisit e mbylli në vend të pestë, para Luis Hamiltonit që u klasifikua i gjashti. Por britaniku i Ferrarit zhvilloi një pjesë të gjatë të garës me makinën e dëmtuar, pasi përplasi në pistë një urith, skena që janë parë shpesh herë në cirkuitin e Montrealit. Për sa i përket renditjes së përgjithshme të pilotëve, Piastri i forcon edhe më shumë pozitat në krye, duke u shkëputur me +22 pikë nga Norris, ndërsa Vershtapen mban vendin e tretë, 43 pikë larg australianit të MekLarenit.

PROTAGONISTËT – “Fantastike, është fitorja ime e parë që nga Las Vegasi dhe vjen pasi mora ‘pole position’ të shtunën. Jam gjithashtu i lumtur që e shoh Kimin në podium. Kemi punuar shumë në fabrikë dhe në pistë për t’u rikthyer te fitoret. Nuk doja t’i rrisja shpresat shumë, por e dija se me temperatura mjaft të ftohta, do të bënim mirë. Le ta shijojmë këtë ditë të mrekullueshme”, deklaroi Xhorxh Rasëll pas triumfit në Çmimin e Madh të Kanadasë. “Vendi i dytë ishte rezultati më i mirë i mundshëm në këtë garë. Shanset e mia për titullin? Po jetoj ditë pas dite, duke i marrë garat një e nga një dhe duke u përpjekur të nxjerr maksimumin. Shpresojmë të mund të bëjmë mirë pas dy javësh në Austri, në garën e shtëpisë së Red Bullit”, u shpreh Vershtapen.