Maks Vershtapen si Valentino Rosi në Sepang 2015”, kështu shprehet Niko Rosberg. Gjerman, ish-kampion bote në Formula 1, nuk ka dyshime: goditja e holandezit të Red Bullit ndaj Xhorxh Rasëllit të Mercedesit në garën e së dielës së kaluar në Barcelonë, i ngjan shumë manovrës së kryer nga italiani kundër Marks Markez në Çmimin e Madh të Malajzisë, në atë episod të famshëm të 10 viteve më parë.
Një paralele me Moto GP-në, e destinuar të shkaktojë debat. Por, sulmi i Rosberg ndaj Vershtapen nuk ndalet këtu. Sipas Nikos, në fakt, Maks meritonte një sanksion shumë më të ashpër sesa dënimi me 10 sekonda që i dhanë.
KONTAKTI
Goditja e parë e Rosberg vjen përmes mikrofonave të “Sky Sport UK”: “Kur pashë kontaktin midis Vershtapenit dhe Rasëllit, menjëherë mendova për manovrën e Valentino Rosit kundër Mark Markezit në Malajzi në vitin 2015”. Fjalë që sjellin kujtime të 10 viteve më parë. Raundi i parafundit i Kampionatit Botëror të Moto GP-së që po mbahej në Malajzi. Rosi akuzoi Markezin se favorizonte bashkatdhetarin e tij Horge Lorencon në garën për titull. Mark, i tërbuar, u përgjigj në pistë duke dueluar për vendin e tretë me Valentinon. Një sfidë e bërë nga parakalime shumë të vështira, deri në kontaktin midis dy pilotëve, i cili eliminoi spanjollin nga gara.
NDESHKIMI
Sipas Rosberg, episodi në Barcelonë meriton vetëm një penalizim: skualifikimin e holandezit. Gjermani nuk i kursen fjalët për manovrën e rrezikshme që piloti i Red Bullit bëri në Çmimin e Madh të Barcelonës: “Manovra e Vershtapenit ishte vërtet e keqe. Ai e goditi Rasëllin me qëllim”. Pra, penalizimi me 10 sekonda duket shumë i butë në sytë e Nikos: “Të ngadalësosh dhe të godasësh një pilot tjetër është një gjë e tmerrshme për t’u bërë. A e mbani mend Fetelin kundër Hamiltonit në Baku 2017? Duket shumë e qëllimshme. Maks e meritonte flamurin e zi, nuk ka zgjidhje tjetër”. Fjalë të forta, të cilat gjetën një përgjigje nga Red Bull. Në fakt, Kristian Horner, menaxheri i ekipit austriak, u përgjigj kështu gjatë një prononcimi për mediat: duke folur për mediat në Spanjë: “Niko komenton në një mënyrë mjaft sensacionale. Kështu që e lëmë mënjanë”.