Aktualitet Sociale

Rast i rëndë në Durrës, 3 fëmijë të lënë vetëm prej ditësh/Hetohet nëna 33 vjeçare!

Tre të mitur 5, 10 dhe 12 vjeç, të vetëm prej ditësh në një banesë në Durrës. Policia raporton se gjyshja e tyre nga babai njoftoi se ish-nusja e djalit të saj i kishte lënë të vetëm në apartament, prej disa ditësh të pangrënë.

33-vjeçarja e divorcuar u shoqërua në polici dhe u vu nën hetim nga blutë për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.

Procedimi penal nisi pasi ditën e sotme, rreth orës 17:20, është paraqitur shtetasja D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte, rasti  i publikuar dhe në rrjete sociale.

Nga ana e shërbimeve të Policisë, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, u bë e mundur marrja në mbrojtje e tre fëmijëve, të cilët u dërguan në spital për ekzaminime mjekësore dhe më pas u morën në kujdes nga Qendra e Mbrojtjes së Fëmijëve Durrës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.