Bota

Rasti Epstein, Trump padit Wall Street Journal-in!

Presidenti amerikan, Donald Trump, paditi gazetën Wall Street Journal dhe pronarët e saj, përfshirë Rupert Murdoch-un, duke kërkuar të paktën 10 miliardë dollarë dëmshpërblim. Kjo pasi gazeta ka raportuar se emri i tij ishte në një urim të dërguar për ditëlindje për Jeffrey Epstein-in më 2003-shin, që përfshinte një vizatim me përmbajtje të nënkuptuar seksuale e një referencë për sekretet që ndanin.

Padia e dorëzuar në gjykatën federale në Majami, përmend si të paditur Rupert Murdoch, Dow Jones, News Corp e shefin ekzekutiv të kompanisë Robert Thomson, si dhe dy gazetarë të Wall Street Journal-it. Në padi pretendohet se ata kanë shpifur ndaj Trump-it dhe i kanë shkaktuar dëme të mëdha financiare e dëmtim të imazhit.

Epstein, financier dhe i dënuar për trafik seksual, kreu vetëvrasje në qelinë e një burgu në Nju Jork më 2019-ën. Rasti ndaj tij ka nxitur teori konspirative dhe u bë i famshëm në mesin e mbështetësve të Trump-it, të cilët besojnë se qeveria ka fshehur lidhjet e Esptein-it me personat e pasur e të fuqishëm.

Trump u shpreh se kishte ndarë rrugët me Epstein-in para se problemet ligjore të financierit të bëheshin publike më 2006-ën. Presidenti e ka mohuar raportimin e gazetës Wall Street Journal dhe më herët kishte paralajmëruar Murdoch-un se kishte ndërmend ta padiste. Dow Jones, kompania mëmë e gazetës, është një degë e News Corp-it.

Sapo kemi dorëzuar një padi TE FUQISHME kundër të gjithëve atyre që ishin të përfshirë në publikimin e një artikullit të rremë, dashakeq, shpifës dhe TE RREME në gazetën e pavlerë, siç është The Wall Street Journal, shkroi Trump në platformën Truth Social. Shpresoj që Ruperti dhe ‘miqtë’ e tij të përballen me dhënie të dëshmive për orë të tëra për këtë rast.

Një zëdhënës i Dow Jones-it reagoi:

Kemi besim të plotë në saktësinë e raportimit tonë dhe do të mbrohemi fuqishëm kundër çdo padie.

Padia e përshkruan si “të rremë” urimin e supozuar të Trump-it për ditëlindjen e tha se Wall Street Journal e publikoi artikullin me qëllim që t’i dëmtojë imazhin.

Duket që artikulli nuk shpjegon nëse të paditurit kanë siguruar një kopje të letrës, e kanë parë atë, u është përshkruar, apo ndonjë rrethanë tjetër që do t’i jepte besueshmëri artikullit, thuhet në padi.

Për të fituar rastin për shpifje, Trump duhet të dëshmojë se të paditurit kanë vepruar me “keqdashje reale”, që do të thotë se e kanë ditur që artikulli ishte i pavërtetë ose kanë neglizhuar qëllimshëm të vërtetën.

Rasti Epstein ka shkaktuar shqetësim në Shtëpinë e Bardhë, pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë këtë muaj erdhi në përfundim se nuk kishte prova që mbështesin teoritë e kamotshme konspirative rreth klientëve të Epsteinit dhe vdekjes së tij.

Më 7 korrik, Departamenti i Drejtësisë deklaroi se Epstein vrau veten dhe nuk kishte “listë të klientëve të përfshirë” apo të dhëna që thoshin se Epstein kishte shantazhuar njerëz të fuqishëm.