Bota

Refuzimi i Trump për raketat, ukrainasit të zhgënjyer nga presidenti i SHBA

Banorët e Kievit kanë reaguar të zhgënjyer nga Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti Donald Trump sinjalizoi se nuk ka ndërmend t’i shesë raketa me rreze të gjatë veprimi të llojit “Tomahawk” Ukrainës.

Trump deklaroi të premten se shpresonte se raketat në fjalë nuk do të jenë të nevojshme në përpjekjet për paqen. Ai priti presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington, në takimin e pestë ballë për ballë që nga fillimi i vitit.

Ukrainasit besojnë se raketat do të ndryshonin rrjedhën e luftës dhe do ta detyronin presidentin rus Vladimir Putin të ulej në tryezën e negociatave. Ndaj dhe retorika e Trump shkaktoi zhgënjim në radhët e tyre.

“Besoj se e gjitha ishte një lojë. Por neve do të na duheshin ato raketa për t’i dhënë fund kësaj lufte”, deklaron Roman Vynnychenko, oficer i ushtrisë ukrainase.

“Jemi në luftë prej më shumë se tre vitesh dhe ajo që duam është paqja”, shprehet në të njëjtat linja Victoria Khramtsova, psikologe në Kiev.

“Unë përpiqem të përqendrohem tek puna ime për fëmijët dhe kjo më jep forcën që të eci përpara dhe të mos e humbas shpresën”, thotë ajo.

Përpara nisjes së bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky tha se kishte një propozim për Trump, në bazë të të cilit Ukraina do t’i ofronte Shteteve të Bashkuara dronët e saj të avancuar, ndërsa Uashingtoni do t’i shiste Kievit raketat “Tomahawk”.

Por Trump hezitoi në dhënien e dritës së gjelbër, duke bërë një kthesë të fortë nga deklaratat e tij më herët gjatë javës, se kishte në plan t’ia dërgonte Ukrainës raketat për të luftuar kundër Rusisë.