Bota

Refuzonte të hante ushqim të gatuar, kambanë alarmi vdekja e 39-vjeçares e cila mbijetonte vetëm me fruta!

Karolina Krzyzak, gruaja polake e cila ndiqte një dietë ekstreme vetëm me fruta ka ndërruar jetë si pasojë e shterimit fizik dhe mungesës së ushqyerjes adekuate. 39-vjeçarja kishte refuzuar çdo ushqim të gatuar ose të përpunuar. Në momentin e vdekjes, ajo peshonte më pak se 23 kilogramë.

Rikujtojmë se një djalë i ri në Indi, ka humbur jetën dhe raportet e para tregojnë komplikacione të lidhura me një dietë ekstreme me lëngje frutash, të cilën e kishte ndjekur për më shumë se tre muaj. Familja e tij bëri të ditur se dieta ishte vetëvendosur, e frymëzuar nga një video në YouTube dhe e ndjekur pa asnjë mbikëqyrje mjekësore. Ata shtuan gjithashtu se i riu kishte filluar të stërvitej së fundmi dhe po merrte medikamente, gjë që mund të ketë rënduar më tej gjendjen e tij fizike. Mjekët theksojnë se ndryshimet ekstreme në dietë, pa udhëzimin e profesionistëve, mund të paraqesin rrezik serioz për shëndetin, sidomos për adoleshentët, trupat e të cilëve janë ende në zhvillim. Kjo humbje tragjike është një kujtesë e fortë për rreziqet që vijnë nga informacioni i rremë në internet dhe dietat ekstreme.

Dietat ekstreme të cilat premtojnë humbje të peshës brenda një periudhe të shkurtër, janë kthyer në një trend të rrezikshëm. Dietat ekstreme janë regjime ushqimore që kufizojnë ndjeshëm kaloritë ose eliminojnë plotësisht disa grupe ushqimore. Shembuj të zakonshëm përfshijnë dietën “Keto”; dietën me supë; dietën me lëngje dhe dietën që përqendrohet vetëm tek proteinat. Qëllimi i tyre është të detyrojnë trupin të humbasë shpejt peshë, por kjo humbje shpesh vjen me pasoja në shëndet.

Kur një dietë kufizon disa ushqime të caktuara, trupi nuk merr lëndët e nevojshme ushqyese, si vitamina, minerale dhe fibra. Kjo mund të ketë pasoja afatgjata në metabolizëm dhe në sistemin imunitar. Humbja e shpejtë e peshës shpesh shkakton ngadalësim të metabolizmit, duke bërë që trupi të djegë më pak kalori, gjë që e vështirëson mbajtjen e peshës së humbur. Dietat ekstreme zakonisht nuk janë të qëndrueshme për një kohë të gjatë dhe kur i kthehesh mënyrës së zakonshme të të ushqyerit fiton më shumë peshë sesa ke humbur fillimisht.