Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme, në kuadër të hetimeve për skandalin me tenderat e institucionit.
Ajo është një nga 8 të pandehurit në këtë çështje, të cilët akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i përfshirë në manipulimin e procedurave të prokurimeve publike, favorizim kompanish dhe ushtrim presioni ndaj operatorëve konkurrues.
Ndaj të pandehurve rëndojnë akuza të rënda, përfshirë konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.
Karçanaj, e cila më herët ishte në arrest shtëpie, aktualisht është me masë “detyrim paraqitjeje” pas lehtësimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Lartë. Ajo qëndroi rreth 3 orë e 45 minuta në SPAK dhe, si në raste të tjera, refuzoi të prononcohej për mediat pas daljes nga institucioni.