Aeroporti i Rinasit është shndërruar në një nga portat më të frekuentuara të vendit, sidomos gjatë sezonit turistik. Çdo ditë në aeroport përpunohen nga 50 deri në 56 mijë pasagjerë.
Për të përballuar këtë fluks, Policia Kufitare ka kaluar në shërbim 12-orësh, duke shtuar me rreth 20 për qind numrin e efektivëve në terren. Paralelisht, janë marrë masa për përshpejtimin e procedurave, përmes zgjerimit të përdorimit të sistemit e-Gate dhe modernizimit të pajisjeve të kontrollit kufitar.
Sipas Policisë së Shtetit, ulja e moshës minimale për përdorimin e e-Gate nga 16 në 12 vjeç, përmirësimi i sistemit TIMS dhe zëvendësimi i pajisjeve të kontrollit kanë ndikuar në shkurtimin e kohës së pritjes dhe rritjen e kapaciteteve të përpunimit të pasagjerëve.
Por, krahas lehtësimit të lëvizjes, vëmendja mbetet e përqendruar edhe te siguria kufitare. Kontrollet bazohen në analizën e riskut, me fokus goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm.
Sipas Policisë së Shtetit, bashkëpunimi mes institucioneve ka mundësuar menaxhimin e fluksit të lartë të udhëtarëve, duke ruajtur njëkohësisht standardet e sigurisë dhe shpejtësinë e shërbimit.