Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Imagjino të hapësh WhatsApp-in dhe gjëja e parë që të del përpara është… një status i shkurtër, sikur po futesh në Instagram. Jo, nuk je në aplikacionin e gabuar. WhatsApp po sjell versionin e vet të asaj që e njohim si ato shënimet e shkurtra që njerëzit vendosin për qejf, për humor, ose thjesht për t’u ankuar pse nuk duan t’i shqetësojë njeri në Instagram.
Ideja është e thjeshtë: një update i vogël me tekst që të tjerët e shohin lart në chat ose tek profili yt. Mund të shkruash çfarë po bën, pse nuk je në dispozicion, ose thjesht të hedhësh një fjali që ndez bisedën. Dhe ironia këtu është që kjo nuk është gjë e re fare. Ishte funksioni i parë i WhatsApp-it, para se të bëhej aplikacioni serioz që përdorim për punë, familje dhe ato grupet e panumërta që s’kemi kohë t’i fshijmë.
Me rikthimin e këtij opsioni, WhatsApp e ka bërë edhe më të dukshëm. Tani të tjerët e shohin direkt tek bisedat, mund t’i klikojnë dhe madje mund të përgjigjen aty për aty. Si me Instagram Notes, zhduket pas 24 orësh, por mund t’ia ndryshosh kohëzgjatjen sipas qejfit: më shpejt, më gjatë, më privat, më publik — si të ta kërkojë situata.
Për momentin nuk ka video të shkurtra, nuk ka muzikë, nuk ka dekorime. Është një version minimal. Por nëse kjo gjë fillon të përdoret masivisht, mund të presim përmirësime. Thjesht tani për tani, WhatsApp po të thotë: nëse do të hedhësh një mendim të shpejtë, kemi bërë një vend të posaçëm për këtë.