Rita Ora e nominuar për herë të parë në Kids’ Choice Awards – një tjetër sukses i madh për yllin shqiptar
Lajmin e bukur e ka ndarë vet këngëtarja me ndjekësit e saj në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë nominim si një moment të veçantë dhe të rëndësishëm në karrierën e saj artistike. Për publikun e ri të Nickelodeon, roli i saj si Mbretëresha e Zemrave ka qenë një paraqitje mbresëlënëse, që e bëri Ritën të spikaste në një univers të dashur për adoleshentët dhe fëmijët.
Ky nominim vjen si dëshmi e shkathtësisë së saj artistike, jo vetëm në muzikë, por edhe në aktrim dhe përforcon pozicionin e saj si një artiste që sfidon vetveten vazhdimisht dhe prek audienca të reja në çdo projekt që merr përsipër.
Ndërkohë, Rita Ora nuk ndalet me kaq. Së fundmi, ajo ka paralajmëruar këngën e saj më të re, që mban titullin “Heat”, e cila do të publikohet më 6 qershor. Fansat e saj në mbarë botën tashmë janë në pritje të këtij projekti muzikor, i cili pritet të jetë një hit i verës.