Celebrities Gossip Showbiz

Rita Ora dhe Taika Waititi “rrëmbejnë” gjithë vëmendjen në tapetin e kuq me puthjet pasionante!

Rita Ora dhe bashkëshorti i saj, regjisori Taika Waititi, kanë qenë në qendër të vëmendjes në premierën e filmit të Disney Channel, “Descendants: Wicked Wonderland”, duke dhuruar momente romantike që nuk kaluan pa u vënë re.

Artistja shqiptare me famë botërore u shfaq të martën në Los Angeles me një paraqitje që tërhoqi menjëherë objektivat e fotografëve, ndërsa shkëmbeu puthje dhe përqafime me Taika Waititi në tapetin e kuq të organizuar në Academy Museum of Motion Pictures.

Rita, 35 vjeç, mahniti me një fustan transparent në stil “fishtail”, të frymëzuar nga personazhi që interpreton në film, Mbretëresha e Zemrave (Queen of Hearts). Ajo e kombinoi dukjen me një korse të bardhë sateni, doreza të kuqe të dekoruara me gurë shkëlqyes dhe vathë të gjatë argjendi, duke krijuar një pamje elegante dhe dramatike.

Nga ana tjetër, Taika Waititi u paraqit me një stil modern dhe elegant, i veshur me një komplet prej kamoshi, bluzë të bardhë, zinxhir ari dhe atlete sportive. Në një moment ai u pa duke rregulluar bishtin e gjatë prej kadifeje të fustanit të Ritës, një gjest që u komentua gjerësisht në rrjetet sociale.

Në filmin e pestë të serisë “Descendants”, Rita interpreton Mbretëreshën e Zemrave, një personazh që përballet me pasojat e zgjedhjeve të së kaluarës dhe aventurat përmes udhëtimit në kohë.

Në premierë morën pjesë edhe emra të njohur të kastit, mes tyre Brandy në rolin e Hirushes, Kylie Cantrall, Malia Baker dhe Liamani Segura.

Përveç suksesit në aktrim, Rita ka bërë të ditur se po i jep përparësi rikthimit në muzikë. Ajo ka zbuluar se albumi dhe projektet e reja muzikore janë pothuajse gati, ndërsa gjatë këtij viti ka përfunduar edhe xhirimet e dy filmave në Australi.

Këngëtarja ka shprehur gjithashtu dëshirën që në të ardhmen të bashkëpunojë profesionalisht me bashkëshortin e saj.

Do të doja shumë të luaja në një film të drejtuar prej tij. Është një nga ëndrrat tona, nëse gjejmë historinë e duhur

-është shprehur ajo.

Rita Ora dhe Taika Waititi u martuan në një ceremoni private në vitin 2022 dhe vazhdojnë të konsiderohen një nga çiftet më të komentuar të showbiz-it, duke tërhequr vëmendjen sa herë shfaqen së bashku në evente publike.