Alyona Polyn, 45 vjeçe, e lindur si Elena Sulikova, u dënua me 2 vjet burg nga një gjykatë e rajonit të Moskës për “nxitje të urrejtjes” dhe të “dhunës” kundër praktikuesve të “feve tradicionale”. Në Rusi, njihej si drejtuese e ritualeve magjike pro-Putin, por ky fakt nuk e shpëtoi nga telashet ligjore.
Referuar zyrës së prokurorit të Moskës, “shtriga” mbështetëse e presidentit rus u demaskua para drejtësisë nga libri me titull: “Emri im është Polyn”.
Sipas gjyqtarëve në gjykatën e Ivanteyevkas (Moskë), mes viteve 2020 e 2023, “shtriga” pro-Putin shkroi “Emri im është Polyn”, një libër “që synonte të nxiste urrejtje”, “të poshtëronte dinjitetin” e klerit ortodoks e “të kërcënonte dhe të nxiste dhunën kundër këtyre individëve”.
Gjykata arriti në këto përfundime pas një “analize të plotë psikologjike, gjuhësore dhe fetare mjeko-ligjore”. 200 kopje të veprës u shtypën e më pas dolën në shitje në një platformë online.

Arrestimi në vitin 2024 dhe dënimi
Lidhur me këtë rast, Polyn u arrestua në qershor të vitit të kaluar. Në atë kohë, policia ruse i sekuestroi lakuriq nate të mumifikuar, kama rituali, kafka, si dhe një altar. Gjatë gjyqit, gruaja magjistare “pranoi plotësisht përgjegjësinë për akuzat”, siç shpjegoi më vonë zyra e prokurorit rajonal të Moskës.
Tani, ajo po kalon kohën pas hekurave, por mund të lirohet së shpejti nga qelia. Ndërkaq, në vitin 2023, BBC-ja britanike e përmendi për një arsye tjetër, mjaft serioze:
Inteligjenca e Kievit zyrtar dyshonte se “grupi i saj i shtrigave” kishte marrë informacione të ndjeshme në Ukrainë përmes një spiuni.