Tech Top Tech - News

Roboti humanoid Boston Dynamics Atlas nuk është thjesht koncept! Ja çfarë duhet të dini për të…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

A do i besoje veten tënde një roboti? Do qëndroje përballë tij, sy më sy, duke ditur që është më i fortë se ti, më i saktë se ti dhe nuk lodhet kurrë? Kjo nuk është pyetje për të ardhmen e largët. Kjo është pyetje për sot.

Përsëri në CES 2026, roboti që e ktheu këtë pyetje në realitet quhet Boston Dynamics Atlas. Dhe jo, nuk është koncept. Nuk është video demo. Është versioni që shumë shpejt do të shkojë në fabrika reale dhe do të fillojë punë.

Atlas është ndryshe nga çdo robot humanoid që kemi parë deri tani. Nuk përpiqet të duket njeri. Nuk ka fytyrë, nuk ka mimikë, nuk ka gjeste të njohura. Ka një formë të pastër, të butë, gati elegante. Dy kamera që shërbejnë si “sy” dhe një rreth drite që të bën ta dallosh menjëherë. Është i projektuar jo për t’u pëlqyer, por për të qenë i qartë: unë jam mjet pune.

Boston Dynamics e ka ndërtuar Atlas-in me një ide shumë të fortë: sa më pak iluzion, aq më shumë besim. Roboti duhet të jetë i kuptueshëm, i riparueshëm, i sigurt. Dhe mbi të gjitha, i aftë të bëjë shumë gjëra mirë, jo një gjë perfekte. Ata e quajnë “gjeneralist”.

Sot do të punojë në fabrikat e Hyundai-t. Nesër në ambiente industriale të rënda. Dhe një ditë, ndoshta, do të hyjë në shërbime dhe në shtëpi.

Por ende jo. Dhe ndoshta kjo është gjë e mirë. Sepse edhe pse Atlas është teknologjikisht i jashtëzakonshëm, pyetja mbetet pezull në ajër: a jetojmë dot ne krah te tij?