Ky është momenti tronditës kur një robot ka bërë një veprim të pakontrolluar teksa duket se sulmon një turmë njerëzish gjatë një festivali kinez. Një video e bërë virale tregon robotin duke u afruar te një grup njerëzish pas një barriere në Festën e Pranverës në Tianjin, në veriperëndim të Kinës. Lëvizjet e papritura të robotit detyruan sigurimin e festivalit ta tërheqë nga turma për të parandaluar ndonjë rrezik. Organizatorët e ngjarjes e quajtën këtë incident një dështim të robotit duke shtuar se ky robot kishte kaluar testet e sigurisë dhe do të merren masa shtesë për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
Në dhjetor të vitit të kaluar, një inxhinier i Tesla-s u sulmua nga një robot në fabrikën e Giga Texas, duke lënë të lënduar rëndë punonjësin. Po ashtu, në nëntor, një punonjës në Kore të Jugut u vra nga një robot që nuk arriti të dallonte njeriun nga një kuti, duke e shtypur atë. Robotët që ngjajnë me qentë nuk janë më një koncept. Ndërkaq, një robot i quajtur Lynx, është krijuar nga kompania kineze Deep Robotics dhe ka ngritur shumë shqetësime dhe habi nëpër rrjetet sociale.
Lynx është një robot me katër rrota që mund të lëvizë, ngjitë dhe madje të bëjë kërcime së prapthi, duke përshkuar çdo lloj terreni, nga shkëmbinjtë te bora. Ky robot mund të përdoret për operacione shpëtimi, pasi ka një mundësi të shkëlqyer për të hyrë në zona të paarritshme dhe për të ndihmuar në kërkimet e personave të humbur. Sipas Deep Robotics, Lynx ka një dizajn kompakt dhe të fuqishëm, me aftësi për t’u përshtatur në terrene të ndryshme.