Bota Celebrities

“Royal Mint” me koleksion të ri monedhash kushtuar Freddie Mercury-t!

“Royal Mint” prezantoi koleksionin e ri të monedhave dedikuar legjendës së “Queen”, Freddie Mercury, sipas “Independent”. Dizajni i punuar me kujdes, paraqet Mercury-n duke performuar, bashkë me nënshkrimin e tij. Detajet e monedhës rrëfejnë historinë e talentit të jashtëzakonshëm të Mercury-t.

Diapazoni i tij i njohur vokal prej katër oktavash simbolizohet nga një shufër muzikore që rrethon skajet e monedhës, duke filluar nga basët e deri te notat e larta.

Frymëzim i mëtejshëm për dizajnin vjen nga performanca e paharrueshme e Mercury-t në koncertin historik bamirës “Live Aid”, i mbajtur më 13 korrik 1985, në stadiumin Wembley në Londër dhe në stadiumin JFK, në Filadelfia.

Monedhat përfshijnë gjithashtu ngjyra, si xhaketën e verdhë ikonike të këngëtarit dhe performancën e tij të gjallë në skenë.

Ky prodhim special i monedhave përkon me përvjetorë të rëndësishëm: 40 vjet që nga koncerti historik “Live Aid” në vitin 1985 dhe 40 vjetori i albumit solo të Mercury, “Mr Bad Guy”, i publikuar në të njëjtin vit.

Freddie Mercury nuk ishte thjesht një muzikant, ai ishte një forcë e natyrës që transformoi çdo skenë në të cilën shkeli. Kjo monedhë kap momentin e energjisë së tij elektrike dhe nderon një ikonë vërtet globale, ndikimi i së cilës vazhdon të frymëzojë breza.

Detajet në këtë dizajn fillojnë, nga nënshkrimi e tij deri te stema muzikore që përfaqëson gamën e tij të jashtëzakonshme vokale, duke e bërë këtë një nga monedhat tona përkujtimore më të veçanta, u shpreh Rebecca Morgan, drejtoreshë e monedhave përkujtimore në “Royal Mint”.

Kjo monedhë koleksionuese vazhdon traditën e “Royal Mint”-it për të nderuar individë që kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në skenën botërore, duke u bashkuar me legjendat e tjera të muzikës në seri, përfshirë David Bowie, George Michael, Dame Shirley Bassey e Sir Paul McCartney.

Në një gjest filantropie, “Royal Mint” do të dhurojë një version të monedhës të ngjyrosur me ar për “Mercury Phoenix Trust”, organizata bamirëse kundër AIDS-it, e  themeluar në kujtim të këngëtarit. Organizata bamirëse planifikon ta nxjerrë në ankand monedhën në muajt në vijim, duke çuar më tej misionin e Mercury-t për të mbështetur personat që preken nga HIV dhe AIDS.