Gossip

“Bohemian Rhapsody”, kënga që Freddie Mercury kishte frikë ta këndonte live? Pse?

Bohemian Rhapsody” e Queen, e publikuar para 50 vitesh, vazhdon të jetë një nga kolonat më të forta të rock-ut botëror, me mbi 6 milionë kopje të shitura në mbarë globin dhe një status të patundur si megahit kulturor.

Kënga gjashtëminutëshe, që theu çdo rregull të radios dhe industrisë muzikore, qëndroi për nëntë javë në vend të parë në top-lista dhe u bë revolucionare edhe për mënyrën si u prezantua vizualisht: videoklipi i famshëm u xhirua për vetëm katër orë për emisionin “Top Of The Pops”, duke u kthyer në një nga klipet më ikonike të të gjitha kohërave.

Tani, miqtë më të afërt të Freddie Mercury-t zbulojnë një detaj surprizë, këngëtari kishte frikë ta performonte live këtë këngë.

Peter Freestone, bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Mercury-t, ka treguar për The Sun se “Bohemian Rhapsody” ishte e vetmja këngë që Freddie nuk e pëlqente ta luante në piano gjatë koncerteve.

Arsyeja? Seksioni solo dhe kompleksiteti teknik i pjesës, që e bënin të shqetësohej se mos gabonte para publikut dhe se çdo gabim i vogël mund të kthehej në objekt talljeje.

Ndërkohë, kuptimi i tekstit të këngës vazhdon të mbetet subjekt interpretimesh. Sir Tim Rice ka sugjeruar se kënga mund të lexohet si një reflektim i betejës së Freddie-t me seksualitetin e tij dhe me pranimin e vetes, duke parë vargun “Mama, sapo vrava një burrë” si simbolikë të “vrasjes” së identitetit të vjetër dhe largimit nga e kaluara.

Performanca e Queen në Live Aid në vitin 1985, ku “Bohemian Rhapsody” zuri një vend qendror, konsiderohet sot si një nga daljet live më epike në historinë e muzikës. Edhe videoklipi origjinal, me silueta dramatike dhe xhirime të afërta të anëtarëve të grupit, ka mbetur një model kreativiteti vizual për dekada me radhë.

Brian May dhe Roger Taylor e kanë rikthyer vazhdimisht këngën në skenë me orkestër të plotë, duke nënvizuar madhështinë, kompleksitetin dhe dimensionin e saj operistik.

Peter Freestone, i cili sot drejton një fondacion për luftën kundër AIDS-it, kujton jo vetëm gjenialitetin muzikor të Freddie Mercury-t, por edhe anën e tij të përditshme: humorin, lojërat, momentet e thjeshta që rrallë i sheh publiku.

Ai thekson se trashëgimia e “Bohemian Rhapsody” është e gjallë jo vetëm në histori, por edhe në emocionet e miliona fansave në mbarë botën.

Gjysmë shekulli pas publikimit, “Bohemian Rhapsody” mbetet jo thjesht një këngë, por një përvojë muzikore që vazhdon të frymëzojë, të tronditë dhe të mahnisë brezat e rinj të rock-ut.