Aktualitet

Rrezikoi jetë njerëzish duke ndezur zjarr, arrestohet 34 vjeçari në Tiranë!

Nën akuzat e zjarrvënies së qëllimshme e shkatërrimit të pronës me zjarr, një 31 vjeçar ra në prangat e Policisë Tiranë.  Nga hetimet rezulton person përgjegjës për ndezjen e tre zjarreve përgjatë aksit Tiranë-Elbasan, duke vënë seriozisht në rrezik jetën e banorëve dhe një pikë karburanti aty pranë. Policia apelon për të gjithë qytetarët, të mos ndezin zjarre, si dhe fton që të denoncohet menjëherë çdo indicie për këtë veprimtari kriminale, që të parandalohet përshkallëzimi.

Njoftimi zyrtar: 

Sapo janë njoftuar për një rast zjarrvënieje në afërsi të autostradës “TEG – Tiranë”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 shkuan në vendngjarje, për të kryer veprimet hetimore, me qëllim përcaktimin e autorësisë, si dhe për të mundësuar shuarjen e zjarrit, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse.

Si rezultat i këtyre veprimeve u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i këtij rasti, J. S., 34 vjeç, banues në fshatin Mjull Bathore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Tiranës apelon për të gjithë qytetarët, që të mos ndezin zjarre, pasi reagimi i strukturave të Policisë do te jetë i menjëhershëm dhe në zbatim të sanksioneve të Kodit Penal. Gjithashtu, fton që të denoncohet menjëherë çdo indicie për këtë veprimtari kriminale, me qëllim që të parandalohet përshkallëzimi, si dhe të zbardhen menjëherë autorësia dhe rrethanat.