Aktualitet

Morën miliona lekë pensionesh në prill-maj 2026, arrestohen 3 zyrtare të Postës Shqiptare Durrës!

Tre punonjëse të filialit të Postës Shqiptare në Durrës ranë në prangat e policisë, të dyshuara se kanë përvetësuar 69 milion lekë të rinj, të destinuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale në degët e Shijakut e Krujës.

Në pranga ranë Elisabeta Mataj, 41 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare Durrës; Valbona Duni 59 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë shefe e financës në filial; Paola Dana 39 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë arkëtare/llogaritare.

Sipas Policisë, ndalimi i tyre u bë në funksion të një procedimi penal të regjistruar nga Prokuroria për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet paraprake dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj 2026, tre zyrtaret nuk kanë arkëtuar në arkën e degëve të Shijakut dhe Krujës shumën prej 69 milion lekësh të rinj, fond i cili ishte planifikuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.

Sipas dyshimeve, shuma është përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme nga të arrestuarat.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila po vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje.